Lajme

“Reuters”: Izraeli po synon që më shumë palestinezë të largohen nga Gaza sesa të hyjnë

01/24/2026 07:43
nga:Sh R

Izraeli dëshiron që ta kufizojë numrin e palestinezëve që hyjnë në Gaza përmes pikëkalimit me Egjiptin për t’u siguruar që më shumë njerëz të lihen për t’u larguar sesa për të hyrë në enklavë, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” tri burimeve me njohuri rreth çështjes para hapjes së pritshme të pikëkalimit javën e ardhshme.

Kreu i një komisioni kalimtar palestinez i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për ta administruar përkohësisht Gazën, Ali Shaath, njoftoi të enjten se pikëkalimi kufitar në Rafah, praktikisht rruga e vetme për të hyrë e për të dalë nga Gaza për pothuajse tërë popullsinë prej më shumë se dy milionë banorësh – do të hapet javën e ardhshme.

Kufiri është dashur të hapej gjatë fazës së parë të planit të presidentit Donald Trump për përfundimin e luftës, sipas paktit të armëpushimit të arritur në tetor mes Izraelit e Hamasit.

Më herët këtë muaj, Uashingtoni njoftoi se plani tani ka hyrë në fazën e dytë, në të cilën Izraeli pritet që t’i tërheqë trupat më tej nga Gaza, ndërsa Hamasi ta dorëzojë kontrollin e administrimit të enklavës. Ana e pikëkalimit kufitar nga Gaza ka qenë nën kontrollin ushtarak izraelit nga viti 2024.

Tri burimet, të cilat folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, thanë se ende nuk ishte e qartë se si planifikon Izraeli që të zbatojë kufizime mbi numrin e palestinezëve që do të hyjnë në Gaza nga Egjipti ose çfarë proporcioni të daljeve në raport me hyrjet synon që ta arrijë.

Zyrtarët izraelitë në të kaluarën kanë folur për inkurajimin e palestinezëve për të emigruar nga Gaza, edhe pse mohojnë se synojnë që ta tërheqin popullsinë me forcë. Palestinezët janë shumë të ndjeshëm ndaj çfarëdo sugjerimi që banorët e Gazës duhet të dëbohen ose që atyre që largohen përkohësisht t’u ndalohet rikthimi.

Pikëkalimi kufitar në Rafah pritet të ketë staf palestinez të lidhur me Autoritetin Palestinez me bazë në Ramallah si dhe të vëzhguar nga personeli i Bashkimit Evropian, siç ishte vepruar gjatë një armëpushimi të mëhershëm mes Izraelit e Hamasit në fillim të vitit të kaluar.