Lajme

Ligjërata për Specialen në shkollën “Xhevdet Doda”, reagon Haga: S’ka përmbajtje politike apo ideologjike

01/23/2026 19:12
nga:Y I

Një ligjëratë për Gjykatën Speciale në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë ka nxitur reagime të shumta në publik në Kosovë.

Për këtë Gjykata Speciale doli me një deklaratë për të sqaruari programin e saj për “Komunikim dhe Ndërgjegjësim të Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Gjykata, duke e potencuar se nuk e përfaqëson as Prokurorinë as Mbrojtjen, tha se nëpër këto ligjërata nuk ka përmbajtje politike apo ideologjike.

“Që nga viti 2018, me mbështetjen bujare të Zvicrës, ekipi i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka zhvilluar aktivitete komunikimi dhe ndërgjegjësimi me audiencat në mbarë Kosovën pothuajse çdo muaj. Këto aktivitete të përcjelljes së informacionit kanë për qëllim të sigurojnë praninë në Kosovë, të ofrojnë informacion bazë për mandatin dhe veprimtarinë e Gjykatës, t’u japin njerëzve në Kosovë mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe, mbi të gjitha, t’u përgjigjen pyetjeve të tyre. Janë organizuar aktivitete me studentë, juristë, shoqërinë civile, qytetarë të komuniteteve vendore, dhe me shumë të tjerë”.

Duke qenë se gjykimet kryhen në Hagë, Gjykata Speciale tha se “që në fillim u vlerësua se Gjykata duhet të komunikojë me njerëzit që ndikohen nga proceset gjyqësore, duke u ofruar atyre informacion transparent, asnjanës dhe të qasshëm, sikurse kanë vepruar edhe tribunalë të tjerë”.

“Informacioni që jepet gjatë këtyre aktiviteteve është i njëjti informacion që mund të gjendet edhe në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara. Këtu përfshihet informacioni në lidhje me mandatin e Gjykatës sipas Ligjit, të drejtat e të akuzuarve, pjesëmarrjen e viktimave dhe zhvillimet ligjore në çështjet gjyqësore. Gjykata është një institucion i ndarë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Programi për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i administruar nga Zyra Administrative si organ asnjanës i Gjykatës, nuk përfaqëson as Prokurorinë, as Mbrojtjen. Prezumimi i pafajësisë së një të akuzuari komunikohet qartë. Në informacionin që përcillet nuk përfshihet përmbajtje politike apo ideologjike”.

Prej vitesh, DHSK-ja tha se ka komunikuar në mënyrë transparente lidhur me aktivitetet e saj të rregullta të komunikimit dhe ndërgjegjësimit dhe qëllimin e tyre.

“Në ato aktivitete kanë marrë pjesë gazetarë, të cilët kanë raportuar për to. Për aktivitetet e komunikimit dhe ndërgjegjësimit në Kosovë, Gjykata raporton rregullisht në informimet javore me mediat, në faqen e internetit dhe kanalet e rrjeteve sociale, si dhe në raportet vjetore të saj. DHKS-ja e vlerëson të rëndësishme të dëgjojë mendimet e njerëzve në Kosovë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të tyre përmes Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim”, përfundon komunikata.