Stuhia Ingrid ka shkaktuar përmbytje në disa zona të Francës perëndimore, ndërsa autoritetet mbajnë në fuqi alarmet portokalli për reshje intensive, përmbytje dhe dallgë të forta në departamentet Finistere dhe Morbihan.
Kushtet atmosferike pritet të përkeqësohen gjatë ditës së premte, me shira të rrëmbyeshëm, erëra të forta dhe valë të larta përgjatë bregdetit.
Sipas Meteo-France, një paralajmërim portokalli për erëra të forta është lëshuar për Finistere duke nisur nga ora 10:00 e mëngjesit. Shpejtësia e erërave mund të arrijë deri në 130 km/orë në zonat bregdetare, ndërsa reshjet pritet të jenë mes 20 dhe 40 milimetra.
Në qytetin Quimperlé, kalatat në qendër janë përmbytur sërish që në orët e para të mëngjesit. Zjarrfikësit evakuuan rreth një duzinë banorësh që një ditë më parë, për shkak të rritjes së nivelit të ujit. Ndërkohë, në Saint-Guénolé, shumë anije kanë mbetur të ankoruara në port, ndërsa erërat e forta kanë lëkundur automjetet e parkuara dhe kanë detyruar autoritetet lokale të anulojnë tregun e zakonshëm.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zonat bregdetare dhe pranë lumenjve, ndërsa stuhia Ingrid vijon të godasë rajonin.


