Napoli po kalon orë ankthi për gjendjen fizike të David Neres.
Sulmuesi anësor brazilian dyshohet se ka pësuar një dëmtim serioz në kyçin e këmbës, i cili mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale.
Neres u dëmtua fillimisht në ndeshjen kundër Veronës, ndërsa situata u përkeqësua më pas ndaj Parmës. Pavarësisht shqetësimeve, lojtari i kishte komunikuar trajnerit Antonio Conte se ndihej gati për të luajtur, por qëndroi në fushë vetëm rreth gjysmë ore, para se të detyrohej të largohej sërish.
Sipas burimeve pranë klubit, ekziston dyshimi për një dëmtim në kyçin e këmbës dhe në fibulë. Futbollisti është në pritje të një konsultimi me specialistët dhe kryerjes së rezonancës magnetike, e cila do të sqarojë shkallën e dëmtimit dhe hapat e mëtejshëm.
Stafi mjekësor i Napolit do të vendosë nëse pushimi do të jetë i mjaftueshëm apo nëse do të nevojitet operacion. Në rast të ndërhyrjes kirurgjikale, Neres rrezikon të mungojë për një periudhë të gjatë, që mund të shkojë deri në dy muaj.

