Lajme

Protesta e 17 shkurtit, Hoxha: Festë por edhe peng për mungesën e çlirimtarëve

01/23/2026 07:49
nga:Sh R

Eliza Hoxha nga platforma “Liria ka Emër” ka folur për protestën që do të mbahet më 17 shkurt, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.

E ftuar në emisionin “Edicioni Special” mbrëmë në Klan Kosova, Hoxha tha se data e 17 shkurtit nuk është zgjedhur rastësisht, pasi ajo përfaqëson njëkohësisht festë dhe peng për qytetarët e Kosovës.

“Prandaj është zgjedhur 17 shkurti. Është festë për të gjithë ne, por edhe një peng, sepse nuk i kemi njerëzit kryesorë në Kosovë”, tha Hoxha.

Ajo theksoi se protesta ka edhe karakter përkujtimor, duke kujtuar rolin e atyre që po mbahen në paraburgim në proceset kyçe të shtetndërtimit.

“Është një përkujtim sepse atje mbahen peng njerëz që kanë luftuar për lirinë tonë dhe që kanë qenë prezentë në shpalljen e pavarësisë, si dhe kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të shtetit. Prandaj, është peng që një garniturë e aktorëve kryesorë, që kanë udhëhequr proceset fillestare të shtetit të Kosovës, mungojnë”, tha ish-deputetja.