Marina franceze ndaloi të enjten në Detin Mesdhe një anije cisternë nafte që udhëtonte nga Rusia, në kuadër të një operacioni që synon goditjen e të ashtuquajturës “flotë në hije” ruse, e cila dyshohet se përdoret për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, njoftuan zyrtarët.
Sipas autoriteteve detare franceze për Mesdheun, anija me emrin Grinch dyshohet se operon me flamur të rremë. Marina Franceze po e shoqëron cisternën drejt një porti për kontrolle të mëtejshme.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Franca është e vendosur të mbështesë ligjin ndërkombëtar dhe zbatimin e sanksioneve. “Aktivitetet e ‘flotës në hije’ kontribuojnë në financimin e luftës së agresionit kundër Ukrainës”, shkroi Macron në një postim, të shoqëruar me një foto të një helikopteri francez mbi anije.
Zyrtarë ushtarakë francezë, që folën në kushte anonimiteti, thanë se operacioni u krye në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar, e cila mblodhi dhe ndau informacionet që çuan në ndalimin e anijes.


