Lajme

Bajrami, Kurtit: Albin, që kabinetin e ke të korruptuar e dinë të gjithë – edhe ata në Davos

01/22/2026 18:06
nga:Genita C

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se përtej rezultatit të zgjedhjeve duhet të shqetësojë mënyra se si po udhëhiqet vendi, raporton GazetaBlic.

Ajo e ka akuzuar Kurtin për deklarata të pavërteta dhe për mbrojtje të ministrave me aktakuza, duke përmendur raste si kontratat e negociuara, rezervat shtetërore dhe, siç tha ajo, “mafinë energjetike dhe farmaceutike”.

Bajrami tha se garancitë absolute të Kurtit për kabinetin e tij tregojnë përfshirje dhe përgjegjësi direkte të tij

Postimi i plotë:

E kam thënë dhe po e përsëris prapë se përtej rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ne të gjithë duhet të jemi të shqetësuar se kush po e udhëheq vendin.

Dëgjojeni Albinin, si thotë të pavërteta pa iu dridhur qerpiku.

Qindra e mijëra kontrata të negociuara, ministra me aktakuza, rasti i rezervave shtetërore ku edhe vetë është i implikuar, mafia energjetike, mafia farmaceutike – dhe del burri i botës e thotë se “askush në kabinetet e ministrave të mi nuk ka as imagjinatën më të vogël për t’u përfshirë në korrupsion”.

Dmth. Albini ka arritur të depërtojë edhe në imagjinatën e ministrive dhe jo vetëm të atyre, por edhe të stafit që ministrat kanë në kabinet.

Albin,
Që kabinetin e ke të korruptuar e dinë të gjithë – edhe ata në Davos. Po deklaratat e tua në mbrojtje dhe garanca absolute edhe për ministrat me aktakuza tregojnë se ti ke qenë urdhërdhënësi. Përndryshe, kjo mbrojtje, kjo garancë nuk mund të shpjegohet ndryshe.