Lajme

Tiranë: Zbulohen tri lokacione ku ushtrohej prostitucion, në pranga tri kolumbiane e një spanjoll

01/22/2026 15:21
nga:Y I

Është zhvilluar një aksion policor në Tiranë, ku janë zbuluar tri lokacione ku ushtrohej prostitucioni.

Në pranga kanë rënë tri shtetase kolumbiane, janë proceduar penalisht edhe dy shtetase shqiptare, që ushtronin prostitucionin.

Në njoftimin e Policisë së Shqipërisë thuhet se është vënë në pranga edhe një shtetas spanjoll, që shfrytëzonte tri shtetaset kolumbiane, për këtë veprimtari .

“Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, dhe disa celularë. Si rezultat i punës intensive të kryer nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të prostitucionit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u organizua dhe u finalizua operacioni i koduar “Network”, që goditi 3 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të veprimeve për këto raste u arrestuan: Shtetaset kolumbiane M. L., 21 vjeçe, V. Y., 25 vjeçe dhe L. D., 35 vjeçe, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion në një apartament që e kishin marrë me qira, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Shtetasi spanjoll J. D., 26 vjeç, pasi dyshohet se shfrytëzonte këto shtetase, për këtë veprimtari kriminale”.

“Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetaset shtetaset V. O., 34 vjeçe dhe S. Sh., 24 vjeçe, pasi ushtronin prostitucion, në dy apartamente që i kishin marrë me qira, njëri në rrugën “Hoxha Tahsim”, tjetri në rrugën “Myslym Shyri”, thuhet në njoftimin e policisë.