Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, me të cilin ka diskutuar për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy palëve.
Në fokus të takimit kanë qenë fushat me interes të përbashkët, përfshirë arsimin, kulturën dhe zhvillimin e qytetit.
Rama ka vlerësuar lart partneritetin me Francën, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për Kryeqytetin dhe për Kosovën në përgjithësi.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se partneritetet e qëndrueshme ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe krijojnë mundësi të reja për qytetarët e Prishtinës.
“Bashkëpunimi me Francën mbetet një partneritet i rëndësishëm për Kryeqytetin dhe Kosovën. Sot mirëprita Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, me të cilin diskutuam për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, ka shkruar Rama.


