Lajme

Pesë të vrarë nga sulmi ndaj një konvoji ushtarak në Jemen

01/22/2026 09:06
nga:G B

Të paktën pesë persona janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur pas një sulmi me bombë ndaj një konvoji ushtarak në jug të Jemenit, kanë bërë të ditur autoritetet vendase.

Sulmi ndodhi pranë qytetit port të Adenit dhe kishte në shënjestër një konvoj që transportonte Hamdi Shukrin, komandant i Brigadave “Giants”, forcë e lidhur me qeverinë e mbështetur nga Arabia Saudite. Sipas burimeve të sigurisë, një makinë bombë shpërtheu në anë të rrugës teksa konvoji po kalonte. Shukri i mbijetoi atentatit, por u plagos lehtë, raporton “Al Jazeera”.

Këshilli Presidencial i Lidershipit në Jemen e cilësoi sulmin si një akt tradhtar dhe terrorist, duke deklaruar se synon të minojë përpjekjet për stabilizimin e sigurisë në vend. Autoritetet njoftuan se do të ndërmarrin masa të ashpra për ndjekjen e autorëve, pa fajësuar drejtpërdrejt ndonjë grup.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Jemen e dënoi sulmin, duke e quajtur atë një akt të paprovokuar kundër forcave qeveritare.

Jemeni vijon të jetë i përfshirë në një konflikt të armatosur që nga viti 2014, kur rebelët Huthi morën kontrollin e kryeqytetit Sanaa, duke e zhytur vendin në një krizë të thellë politike dhe humanitare.