Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova, në 20 vjetorin e vdekjes së tij.
Hamza tha se Rugova i priu popullit në një periudhë të rëndësishme, me sfida e përpjekje për afirmimin politik e ndërkombëtar të Kosovës.
“Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nderojmë figurën e tij historike dhe kontributin e tij në rrugëtimin shtetformues të Kosovës.
Ish-Presidenti Ibrahim Rugova i priu popullit tonë në një periudhë të rëndësishme të historisë, në kohë sfidash dhe përpjekjesh të vazhdueshme për afirmimin politik dhe ndërkombëtar të Kosovës.”
I pari i PDK-së u shpreh po ashtu se Rugova kishte një qasje të veçantë politike.
“Ai përfaqësonte një qasje të veçantë politike dhe intelektuale, e cila la gjurmë të mëdha në diskursin publik dhe në proceset vendimtare të asaj kohe.
Nderime jetës dhe veprës së ish-Presidentit Ibrahim Rugova!”


