Fjalimi i Donald Trump në Davos pritet me shumë interes. Presidenti amerikan u shpreh optimist për zgjidhjen e konfliktit për Groenlandën.
Udhëtimi i Donald Trump drejt Davosit filloi me pengesa. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u nis drejt Forumit Ekonomik Botëror në Davos kur Air Force One u detyrua të kthehej në aeroportin ushtarak pranë Uashingtonit. Një problem i vogël elektrik me avionin ishte arsyeja, shpjegoi zëdhënësja e Trump. Trump hipi në një aeroplan zëvendësues dhe tani është në rrugë me një vonesë prej rreth dy orësh e gjysmë.
“Do të jetë një takim shumë interesant në Davos”, njoftoi presidenti amerikan pak para nisjes së tij. Në Forumin Ekonomik Botëror Trump mban fjalim të mërkurën, po ashtu janë planifikuar gjithashtu disa takime me krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish. Mosmarrëveshja për Groenlandën, e cila i përket Danimarkës, pritet të jetë fokusi kryesor. Trump tha disa orë para se të nisej për në Davos, se mendon do të gjendet një zgjidhje që do t’i bënte shumë të lumtur NATO-n dhe SHBA-në. Ai gjithashtu përsëriti qëndrimin e tij se SHBA-të kishin nevojë për Groenlandën për arsye sigurie.
Trump: “Do ta shihni”
Si reagim ndaj solidaritetit të treguar nga vendet evropiane të NATO-s me Groenlandën dhe Danimarkën, presidenti amerikan njoftoi se do të vendoste tarifa ndëshkuese ndaj Gjermanisë dhe shteteve të tjera evropiane duke filluar nga 1 shkurti nëse ato nuk tërhiqeshin dhe nuk ia shisnin Groenlandën SHBA-së. Kur një gazetar e pyeti Trumpin se sa larg ishte i përgatitur të shkonte për ta vënë ishullin nën kontrollin e SHBA-së. Përgjigja e Trumpit: “Do ta shihni.”/DW


