Lajme

Dugolli ndan detaje nga marrëveshja për liberalizimin e vizave me Bahamas

01/20/2026 23:17
nga:Genita C

Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, ka ndarë detaje nga nënshkrimi i marrëveshjes që parasheh heqjen e vizave, mes Kosovës dhe Bahamas.

Nëpërmjet një postimi, Dugolli u shpreh se pati nderin të nënshkruajë këtë marrëveshje bashkë me ambasadorin Wendall Jones.

“Sot, së bashku me kolegun tim të nderuar, Ambasadorin Wendall Jones, pata nderin të nënshkruaj marrëveshjen për përjashtimin e ndërsjellë të kërkesave për viza hyrëse midis Kosovës dhe Bahamas” shkroi Dugolli.

Marrëveshja për liberalizim të vizave u nënshkrua në Washington.

Nga Presidenca e Republikës së Kosovës, kjo gjë u prit tejet mirë dhe u vlerësua lart, duke u cilësuar si kontribut në marrëdhënien që tashmë po ndërtohet ndërmjet dy vendeve.

“Pas njohjes nga Bahamas dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në muajin dhjetor, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Davis u dakorduan se ky do të ishte hapi i radhës. Ky hap dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës e Bahamas dhe, mbi të gjitha, për forcimin e lidhjeve mes qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin” deklaroi Presidenca./