Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar ashpër reduktimet masive të energjisë elektrike, duke theksuar se ato kanë lënë familjet pa ngrohje, kanë bllokuar bizneset, shkollat dhe shërbimet publike, raporton GazetaBlic.
Ajo i ka quajtur këto veprime si keqmenaxhim dhe papërgjegjësi totale të Qeverisë, duke kërkuar llogari publike dhe një plan emergjent për ndalimin e menjëhershëm të reduktimeve.
Postimi i plotë:
REDUKTIMET E RRYMËS JANË DORËZIM
Reduktime masive të rrymës sot kanë lënë familjet pa ngrohje, bizneset e bllokuara; kanë shkaktuar ndërprerje të mësimit në shkolla, kanë shkaktuar kollabim të shërbimeve të gjykatave, ambulantave shëndetësore e institucioneve tjera dhe bllokim të shërbimeve publike.
Paradoksalisht, sot kur po paguajmë rrymën më së shtrenjti, po mbesim pa të, e askush nuk po jep përgjegjësi.
Kjo nuk është krizë e papritur. Kjo është keqmenaxhim i pastër dhe papërgjegjësi totale nga ana e Qeverisë.
Për këtë situatë kërkoj llogari publike së pari nga ZRRE si dhe Qeveria, Ministria e Ekonomisë si dhe të gjitha institucionet relevante; Plan Emergjent dhe ndaljen e menjëhershme të reduktimeve. Kosova nuk mund të qeveriset me arsyetime, as të mbahet peng nga dështimi. E aq më pak me padi ndaj zërave kritikë, si rasti i Janina Ymerit.
Qytetarët meritojnë energji elektrike, si diçka bazike.
Jo institucione të papërgjegjshme!


