Lajme

Kurti nga Davosi: Qeverisja ime shembull i llogaridhënies, korrupsioni nuk ka vend në Kosovë

01/20/2026 15:09
nga:Sh R

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për qeverisjen e deritanishme, planet ekonomike, politike dhe gjeo-strategjike të Kosovës, gjatë një bisede me Rory Stewart OBE në “Shtëpinë e Kosovës” në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Kurti theksoi se prioritet i qeverisë së tij ka qenë rritja e cilësisë së shërbimeve, transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve.

Ai deklaroi se nuk lejohet asnjë lloj korrupsioni brenda kabinetit qeveritar.

“Ne e kemi trashëguar një situatë me korrupsion endemik. Ka rezistencë e qëndrueshmëri të fortë të njerëzve që të mos kthehen kurrë më aty. Pra shpresa jonë janë njerëzit, që ata do ta njoftojnë sistemin dhe publikun për korrupsionin që e hasin”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se qeverisja e tij ka qenë shembull.

Kryeministri në detyrë foli gjithashtu për politikat sociale, investimet kapitale dhe ekonomike që qeveria e tij ka implementuar, si dhe për bllokadën politike disa mujore që çoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku LVV-ja fitoi 51% të votave.

Ai përmendi edhe sfidat e sigurisë, duke kritikuar planet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë, përfshirë luftën hibride gjatë fushatës zgjedhore. Kurti theksoi rëndësinë e profesionalizmit të Agjencisë së Inteligjencës për të garantuar përgjigje efikase ndaj çdo sulmi.