Lajme

Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, Shoqata e Pacientëve me reagim për rastin e Arianit Sllamnikut

01/20/2026 13:53
nga:Sh R

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar rreth rastit të konspiracionistit Arianit Sllamniku, i cili pretendon se ‘shëron’ autizmin tek fëmijet.

Sllamniku ndonëse nuk është mjek, ka pretenduar se e ka ilaçin për këtë, por dyshohet se fëmijëve iu jepte barëra që janë për kafshët.

PRAK thekson se ky rast nuk duhet trajtuar vetëm si një incident i izoluar apo si përgjegjësi individuale penale, por si një fenomen alarmant që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në situata të ndjeshme emocionale dhe sociale.

“Së pari, ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me mungesën e shërbimeve të mjaftueshme, të qasshme dhe të integruara për fëmijët me çrregullime të zhvillimit, përfshirë autizmin. Kur sistemi publik nuk ofron mbështetje të strukturuar, terapi të vazhdueshme, orientim profesional dhe informim të saktë, qytetarët mbesin të vetmuar dhe të dëshpëruar duke u bërë lehtësisht pre e pretendimeve të rreme dhe mashtruese.

“Së dyti, kemi të bëjmë me mungesë të kontrollit efektiv institucional dhe mbikëqyrjes së praktikave pseudo-mjekësore, veçanërisht në hapësirat informale dhe online, ku individë pa licencë dhe pa përgjegjësi profesionale promovojnë “trajtime” të rrezikshme, pa u ndëshkuar në kohë”.

“Së treti, niveli i ulët i edukimit shëndetësor dhe informimit publik mbi çrregullimet e spektrit të autizmit krijon terren për dezinformim. Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, por një gjendje që kërkon ndërhyrje multidisiplinare, mbështetje afatgjate dhe respektim të dinjitetit të fëmijës dhe familjes”, theksohet në reagimin e kësaj shoqate.

PRAK njëherësh thekson se e mirëpret reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe konfirmimin e Policisë së Kosovës se rasti është duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Këto hapa janë të domosdoshëm, por jo të mjaftueshëm nëse mbesin vetëm reagim pas faktit.