Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka paralajmëruar se nominimet e pamjaftueshme të energjisë nga ana e KESCO-s po rrezikojnë stabilitetin e sistemit elektroenergjetik në vend.
Sipas KOSTT-it, devijimet e mëdha mes energjisë së nominuar dhe kërkesës reale po shkaktojnë vështirësi të jashtëzakonshme në balancimin e sistemit në kohë reale.
Në njoftim, KOSTT ka bërë të ditur se sot, më 20 janar 2025, KESCO ka nominuar rreth 26.17 për qind më pak energji sesa kërkesa reale. Kjo ka çuar Zonën e Kontrollit të KOSTT-it në jo balanca mesatare prej rreth 211 MW/orë, ndërsa në disa orë këto jo-balanca kanë tejkaluar 260 MW/orë.
“Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon drejtpërdrejt stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.
KOSTT ka bërë thirrje që nominimet të reflektojnë saktë kërkesën reale dhe të korrigjohen menjëherë, me qëllim shmangien e devijimeve dhe garantimin e sigurisë së sistemit.
Si pasojë e kësaj gjendjeje, KOSTT ka njoftuar se do të detyrohet të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për të garantuar operimin e sigurt të sistemit, deri në përmirësimin e situatës.


