Noa Lang është shumë pranë një aventure të re në Turqi.
Sipas Gianluca Di Marzio, Galatasaray ka arritur marrëveshje me Napolin për huazimin e anësorit holandez, duke i dhënë fund qëndrimit të tij në Serie A pas vetëm një sezoni.
Negociatat mes palëve kanë avancuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit dhe marrëveshja parashikon një huazim, me detaje të tjera kontraktuale që po finalizohen.
Galatasaray ka qenë prej kohësh në kërkim të një lojtari ofensiv me shpejtësi dhe fantazi, ndërsa profili i Lang është vlerësuar si ideal nga drejtuesit dhe stafi teknik i klubit turk.
Nga ana e Napolit, largimi i përkohshëm i 25-vjeçarit shihet si një zgjidhje e përshtatshme, pasi lojtari nuk ka pasur vazhdimësi dhe hapësirat në repartin ofensiv janë bërë gjithnjë e më të kufizuara.
Klubi kampion i Italisë synon të lehtësojë organikën dhe të krijojë hapësirë për lëvizje të reja në merkato.
Nëse nuk do të ketë surpriza, Noa Lang pritet të udhëtojë së shpejti drejt Stambollit për vizitat mjekësore dhe firmën zyrtare, duke u vënë menjëherë në dispozicion të Galatasaray për pjesën e mbetur të sezonit.

