Lajme

Blair ‘distancohet’ nga tarifa prej 1 miliard dollarësh e vendosur nga Trump për Bordin e Paqes për Gazën

01/19/2026 10:33
nga:G B

Tony Blair, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar i cili është emëruar në panelin ekzekutiv të Bordit të Paqes të Donald Trump, u distancua nga kërkesa e presidentit që vendet të paguajnë 1 miliard dollarë për anëtarësim të përhershëm.

Kështu raportojnë mediat e huaja, sipas të cilave, Blair refuzoi të mbështeste kërkesën për fondet.

Dhe kjo po vlerësohet si një shenjë e mëtejshme se detajet e bordit të paqes po provokojnë kundërshtim nga aleatët dhe partnerët e SHBA-së për projektin e Trump.

Siç vlerësohet më tej, disa vende ka të ngjarë të refuzojnë të bashkohen me Bordin si rezultat i kushteve të Trump, thanë njerëz të njohur me çështjen.

Të tjerë mund të bien dakord në parim për t’u bashkuar me Bordin e Paqes, por të refuzojnë të paguajnë tarifën për anëtarësim të përhershëm, shtuan ata.

Ata pastaj do të kërkonin ta negocionin atë ose do të largoheshin nga bordi nëse Trump këmbëngulte në këtë ide.

Ndërkohë, kryeministri kanadez Mark Carney tha të dielën se kishte rënë dakord në parim për t’u bashkuar me bordin, por jo për pagesat.

“Lidhur me specifikat e Bordit të Paqes, ne nuk i kemi shqyrtuar të gjitha detajet e strukturës, si do të funksionojë, për çfarë financimi është, etj. Dhe kështu do t’i shqyrtojmë ato në ditët në vijim”, ka thënë ai.