Sporti

Muriqi flet për het-trikun ndaj Bilbaos dhe të ardhmen e tij

01/18/2026 13:45
nga:G B

Vedat Muriqi është futbollisti i momentit te Mallorca, por edhe i javës padyshim në La Liga pas het-trikut ditën e shtunë ndaj Athletic Bilbao.

Futbollisti i RCD Mallorca, Vedat Muriqi, i cili shënoi një tregolësh në fitoren 3-2 kundër Athletic Club, ka konfirmuar se ndihet i lumtur në ishull dhe ka zbuluar se drejtori sportiv, Pablo Ortells, i kishte thënë se nuk do ta shiste.

“Jam i lumtur këtu, kam një kontratë dhe gjërat janë ashtu siç janë. Nëse një sulmues shënon shumë gola, natyrisht do të vijnë oferta, por unë jam i lumtur këtu dhe klubi ka vendosur për të ardhmen time”, tha Muriqi pas ndeshjes, që shënoi tregolëshin e tij të parë me Mallorcën.

Reprezentuesi kosovar ka zbuluar edhe bisedën që kishte me drejtorin sportiv të Mallorcas.

“Fola me Pablo Ortells dy ditë më parë dhe i lashë vendimin në dorë të tij. I thashë se nuk mund të flisja për negociata sepse sapo kishim rinovuar kontratat tona. Nëse klubi do të shpëtohej nga paratë e shitjes sime, atëherë ai duhet ta vendoste, por ai tha jo dhe unë jam i lumtur këtu”, vazhdoi tutje Muriqi.

Prizrenasi shkëlqeu me tre gola ndaj Bilbaos dhe shprehet shumë i lumtur me golat e shënuar.

“Jam shumë i lumtur. E dija që isha në një seri të mirë, por kjo nuk mjaftonte për të fituar ndeshjet. Tregolëshi im i parë me Mallorcën dhe tre pikët e fituara janë edhe më të rëndësishme”.

“Gjatë gjithë javës kemi folur për këtë, kemi rikthyer atë që na ka munguar të gjithëve – një ekip që lufton për çdo top. Kështu fitohen ndeshjet. I dimë gabimet tona, dhe këto tre pikë do të na ndihmojnë të përmirësojmë renditjen tonë”, përfundoi ylli dardan.