Procesi i rinumërimit të Gjysmës së vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka sjellë ndryshime të dukshme në numrin e votave të kandidatëve për deputetë.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë numëruar pothuajse gjysma e vendvotimeve, nga gjithsej 914 sosh që janë përfshirë në procesin e verifikimit.
Me vendvotimet e rinumëruara deri më tani, dallimet në votat e kandidatëve brenda partive politike janë të theksuara. Komuna që del të jetë më së shumti e prekur nga këto mospërputhje është Prizreni, ku janë rinumëruar 145 nga 169 kutitë e dedikuara për verifikim, apo 85.80 për qind e tyre.
Të dhënat e KQZ-së tregojnë se pothuajse në të gjitha partitë politike ka mospërputhje të votave në Prizren, por në disa raste ndryshimet shkojnë në mijëra vota për vetëm një kandidat.
Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), kandidati që rezulton të ketë përfituar më së shumti nga numërimi fillestar është Arbër Rexhaj, i cili pas rinumërimit ka 439 vota më pak. Pas tij vijnë Rea Krasniqi me 402 vota më pak, Valon Ramadani me 308 vota më pak dhe Dafina Alishani me 250 vota më pak.
Në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dallimet janë edhe më të thella.
Fetah Paçarizi rezulton me 4,006 vota më pak pas rinumërimit, ndërsa Nait Hasani ka humbur 2,213 vota. Kujtim Gashi ka 1,551 vota më pak, ndërsa Arianit Çollaku 1,397 vota më pak.
Ndryshime të konsiderueshme janë vërejtur edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Kandidati Xhavit Uka pas rinumërimit ka 1,020 vota më pak, Driton Selmanaj 757 vota më pak, Anton Quni 412 vota më pak, ndërsa Visar Azemi 321 vota më pak.
Lista e kandidatëve sipas partive (bazuar në rinumërimin e votave):
Partia Demokratike e Kosovës (PDK)
Fetah Paçarizi (-4,006)
Nait Hasani (-2,213)
Kujtim Gashi a (-1,551)
Arianit Çollaku (-1,397)
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)
Xhavit Uka (-1,020)
Driton Selmanaj (-757)
Anton Quni (-412)
Visar Azemi (-321)
Lëvizja Vetëvendosje (LVV)
Arbër Rexhaj (-439)
Rea Krasniqi (-402)
Valon Ramadani (-308)
Dafina Alishani (-250)
Procesi i rinumërimit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa KQZ-ja ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të plotë të verifikimit të të gjitha vendvotimeve të përfshira në këtë proces./Telegrafi/

