Sot, në Zagreb, në organizim të Ambasadës së Republikës së Kosovës, u mbajt një takim përkujtimor, me rastin e 44-vjetorit të rënies heroike të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Kjo ngjarje solemne mblodhi përfaqësues institucionalë, përfaqësues të shoqatave shqiptare, veprimtarë të diasporës dhe qytetarë të shumtë, të cilët nderuan jetën dhe veprën e këtyre figurave emblematike të rezistencës kombëtare shqiptare.
Në fjalën e tij të rastit, ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, theksoi rëndësinë e veçantë që ‘Flaka e Janarit’ ka për kujtesën historike dhe për procesin e formimit të identitetit shtetëror të Kosovës, duke nënvizuar se vizioni politik, intelektual dhe atdhetar i Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës mbetet një referencë e përhershme për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Ceremonia u përshëndet edhe nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kroaci, Donika Hoxha, e cila vuri në pah dimensionin mbarëkombëtar të ‘Flakës së Janarit’ si simbol i bashkimit shpirtëror dhe historik të shqiptarëve. Po ashtu, fjalë përshëndetëse mbajti edhe e dërguara e posaçme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë, znj. Ermina Lekaj Perlaskaj, e cila theksoi rëndësinë e kulturës së kujtesës dhe respektit ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë. Tubimin e përshëndeti gjithashtu Esad Çollaku, kryetar i Unionit Shqiptar, duke nënvizuar rolin e diasporës shqiptare në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë historike, njofton Ambasada e Kosovës në Zagreb.
Pjesa artistike e ceremonisë i dha aktivitetit një dimension të veçantë emocional dhe simbolik. Prof. Bernardina Mjeda, me interpretimin e saj vokal, përkujtoi figurën e “Nënës krenare kosovare”, e shoqëruar në piano nga Bleona Lekaj, duke krijuar një atmosferë reflektimi dhe ndjenje të thellë. Ndërkohë, recitimin e poezive të Jusuf Gërvallës e realizoi Mirela Jakopoviq, duke risjellë fuqinë e fjalës poetike dhe mesazhin atdhetar të veprës së tij.


