Lajme

Pa ujë të pijshëm tash e 30 orë rreth 700 shtëpi në Podujevë

01/17/2026 22:07
nga:Sh R

Prej më shumë se 30 orësh, rreth 700 shtëpi në Podujevë kanë mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm. Bëhet fjalë për banorët e lagjeve afër hekurudhës, në vendin e njohur si “Çeshmja e Azemit”, si dhe për një pjesë të rrugës “Lordi Bajron”.

Këta banorë furnizohen nga gypi i vjetër i ujit të pijshëm, i cili vjen nga fabrika e ujit në Shajkovc dhe pikërisht në këtë linjë është bërë ndalja e ujit për këto zona.

Banorët e këtyre lagjeve kanë protestuar pranë zyrave të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, njësia në Podujevë, por sipas tyre, askush nuk ka dhënë asnjë përgjigje apo sqarim nga zyrtarët e kësaj kompanie lidhur me ndërprerjen e furnizimit me ujë.

Banorët e kësaj zone kërkojnë zgjidhje urgjente dhe informim zyrtar për arsyen dhe kohëzgjatjen e kësaj ndërprerjeje.

Ndërkohë, përkundër interesimit të RTK-së për të marrë një përgjigje rreth kësaj situate nga njësia e KRU ‘Prishtina’ në Podujevë, këta të fundit nuk kanë qenë të qasshëm.