Lajme

Basha: Rënia e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës u bënë frymëzim i luftës për liri

01/17/2026 16:20
nga:Sh R

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, bashkë me Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti, sot, në 44-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës,  bëri homazhe te varrezat në Dubovik të Deçanit.

Kryetari Basha tha se tre heronjtë përfaqësonin zërin e ndërgjegjes dhe idealet e një brezi të tërë që luftonte kundër shtypjes dhe okupimit, duke bashkuar kulturën, politikën dhe organizimin në shërbim të kauzës kombëtare.

“Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë në atentat nga UDB-ja jugosllave për shkak të angazhimit të tyre të palëkundur për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Rënia e tyre nuk i shuajti idealet, por i bëri ato burim frymëzimi për mijëra aktivistë dhe veprimtarë, përfshirë djemtë e vajzat më të mirë të kombit, të cilët iu bashkuan me guxim luftës për liri duke vazhduar rrugën e idealit të tyre. Në këtë ditë përkujtimi, theksojmë se vepra dhe shembulli i Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit do të mbeten gjithmonë udhërrëfyes për brezat që vijnë”, theksoi në shënimin e tij kryeparlamentari Dimal Basha.