Që nga sot ka hyrë në fuqi Ligji për të huajt dhe ai për komunikacionin. Në pikat kufitare, policia e Kosovës po shpërndan informacione për veturat me targa të huaja. Ligjet e reja do të prekin më shumë serbët që jetojnë në komunat veriore.
Çdo ngasës i veturës që hyri nga Serbia u ndal nga Policia e Kosovës, për t’ua dhënë informacionet e fundit për dy Ligje që tashmë kanë hyrë në fuqi.
Përveç atyre me vetura, qytetarët e huaj që nuk posedojnë dokumentacion të Republikës së Kosovës, do të detyrohen që brenda 72 orëve ta lëshojnë vendin.
Ligji do të prek kryesisht komunitetin serb të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës.
“Çfarë të them, unë nuk e di. Do të bëhet diçka, besoj, që të jetë mirë për këtë popull. Ose do të ketë ndonjë riregjistrim ose ndonjë sigurim, diçka. Ka një numër të madh automjetesh. Mirë, policia na njofton që ta dimë atë afat sa duhet — do të bëhet diçka, besoj”, deklaroi një qytetar.
“U njohëm, i dëgjuam të gjitha, e pastaj si të jetë për të gjithë, ashtu — çfarë të bëjmë. Si e shihni atë afat? Nuk e di, di që është deri më 15 mars, pastaj do të shohim çfarë do të bëjmë”, deklaroi një qytetar tjetër.
Gjatë ditës për këto dy Ligje ka reaguar Kryetari i Këshillit Nacional të Luginës, Ragmi Mustafi i cili ka thënë se kjo do t’i prek edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Ka implikime të drejtpërdrejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës që ende nuk posedojnë dokumente të Republikës së Kosovës e jetojnë në Kosovë prej vitesh. Këto ligje që janë në përputhje me standardet evropiane nuk ndalojnë hyrjen e qytetarëve tanë në Kosovë dhe nuk synojnë penalizim, por vendosin qartësi juridike aty ku për vite me radhë ka ekzistuar një zonë gri administrative”.
Më shumë detaje për këto ligje, ka dhënë Ministria e Punëve të Brendshme.
“Automjeti i regjistruar në vendin e huaj në pronësi të shtetasit të huaj, lejohet të qarkullojë deri tre (3) muaj nga data e hyrjes në Kosovë; Automjeti i regjistruar në vendin e huaj në pronësi të qytetarit të Kosovës, lejohet të qarkullojë deri tre (3) muaj nga data e hyrjes në Kosovë. Qytetari i Kosovës duhet të ketë të rregulluar lejen e qëndrimit të përkohshme ose të përhershme dhe ta tregoj në çdo rast kur kërkohet nga personi i autorizuar; Automjetin e regjistruar jashtë Kosovës nuk mund ta drejtojë shtetasi kosovar pa praninë e pronarit dhe as të autorizohet që të qarkullojë në Kosovë”, i tha nga MPB.
Një ditë më parë, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi ka thënë se deri më 15 mars do të jetë kohë tranzicioni, dhe të gjithë qytetarët që do të hyjnë në Kosovë do të informohen për kohën kur këto dy ligje do të hyjnë plotësisht në fuqi.


