Trajneri i Kombëtares së Kosovës në xhudo, Driton “Toni” Kuka, i njohur për sukseset e tij ndërkombëtare, ka ndarë vizionin dhe filozofinë e tij të punës në fillim të ciklit kualifikues për Lojërat Olimpike Los Angeles 2028.
Kuka, udhëheqësi i ekipit që solli për Kosovën pesë medalje olimpike, përfshirë tre të arta – tha se puna me sportistë të shkallës botërore nga një vend i vogël kërkon një “Ferrari” – një makinë të ndërtuar me kujdes të jashtëzakonshëm.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës Evropiane të Xhudos (EJU) gjatë kampit stërvitor olimpik në Mittersill, trajneri shpjegoi se me burime të kufizuara duhet të krijohen kampionë që mund të rivalizojnë fuqitë botërore.
Në pjesën e parë të një serie me tri pjesë të kësaj interviste, trajneri i kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, i njohur me dashuri si “Toni”, flet hapur për filozofinë e tij unike të trajnimt, sakrificat që qëndrojnë pas medaljeve të arta olimpike dhe arsyen pse ndërtimi i kampionëve nga një vend i vogël kërkon krijimin e një Ferrari nga e para.
“Ne, si Kosovë, me një bazë të vogël dhe me një numër të kufizuar sportistësh, duhet që nga një sportist të ndërtojmë një Ferrari,” shpjegon Toni, me fjalë që prekin thelbin e filozofisë së tij. “Prandaj është shumë e vështirë të kombinohet jeta normale me jetën e një sportisti të nivelit të lartë.”
Kjo metaforë, ndërtimi i një Ferrari, përmbledh gjithçka rreth qasjes së Kukës. Ajo është e përpiktë, kërkuese dhe pa kompromise. Megjithatë, është edhe e vetmja mënyrë që një vend me më pak se dy milionë banorë ka arritur të qëndrojë krah për krah me superfuqitë e xhudos në podiumin olimpik.
Duke folur për ciklin e ri olimpik, Kuka shfaqet realist dhe i kujdesshëm. Ai konfirmon se tre xhudistë që u kualifikuan për Parisin janë ende shtylla kryesore e ekipit, por paralelisht po punohet intensivisht edhe me brezin e ri.
“Po zhvillojmë disa eksperimente me vajzat, disa po lëvizin kategori peshe, ndërsa kemi edhe sportistë të rinj që nuk kanë qenë pjesë e Lojërave Olimpike më parë. Synimi ynë është të sigurojmë tre deri në pesë kualifikime olimpike për Los Anxhelos”, thotë ai.
Sipas Kukës, nëse Distria Krasniqi, Laura Fazliu dhe Akil Gjakova janë të shëndetshëm, kualifikimi është i sigurt, ndërsa edhe disa të rinj kanë potencial real për t’u futur në rrugën olimpike.
Trajneri kosovar nënvizon se asnjë cikël olimpik nuk mund të trajtohet njësoj. Metodat që funksionuan për Rio 2016 nuk ishin të njëjtat për Tokion 2020 apo Parisin 2024.
“Në çdo cikël olimpik kam përmirësuar veten si trajner, me metoda të reja, me xhudo të re dhe qasje të reja. Nuk mund të arrish rezultate duke përdorur të njëjtën metodologji për katër vite rresht”, shprehet Kuka.
Një nga vendimet më domethënëse të fundit është përfshirja e një trajneri japonez në stafin e Kosovës, për të avancuar sidomos aspektin e ‘ne-waza’.
“Kemi shumë sportistë të rinj të talentuar, por kemi nevojë të përmirësojmë punën në ‘ne-waza’. Ky projekt është mbështetur nga Federata dhe Ministria e Sportit. Ekspertiza japoneze, e kombinuar me përvojën e sportistëve tanë si Nora Gjakova, do të ndihmojë shumë brezin e ri”, thekson ai.
Përtej medaljeve dhe strategjive, Kuka flet hapur edhe për konfliktin e brendshëm që e shoqëron në punën me sportistët, sidomos në menaxhimin e jetës së tyre personale.
“Pjesa më e vështirë është balancimi mes disiplinës së hekurt dhe jetës normale. Ndonjëherë dua t’u lejoj më shumë liri, por e di që, në kushtet tona, çdo devijim mund të na kushtojë shumë”, thekson ai.
Megjithatë, kur kthehet dhe numëron pesë medaljet olimpike, Kuka gjen qetësinë e tij. “Ata mund të kenë humbur diçka, por kanë fituar shumë – për veten, familjet e tyre dhe për një shtet të ri që sot njihet në botë përmes sportit”.
Falë rezultateve të Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit, Nora e Akil Gjakovës, Laura Fazliut dhe Loriana Kukës, Kosova sot konsiderohet një fuqi e madhe në xhudo.
“Kosova e vogël sot është një vend i madh përmes sportit, dhe kjo më bën jashtëzakonisht të lumtur”, nënvizoi Driton Kuka.
Me nisjen e rrugës drejt LA2028, filozofia e “Ferrarit” vazhdon – punë pa kompromis, disiplinë maksimale dhe besim se edhe një vend i vogël mund të arrijë majat e botës.


