Paris Saint-Germain po shqyrton një lëvizje për mesfushorin e Chelseat, Enzo Fernandez.
Fernandez, i cili iu bashkua Bluve në vitin 2023 për një shifër rekord në Britani prej 107 milionë paundësh, thuhet se po mendon për opsionet e tij në Stamford Bridge pas largimit të papritur të Enzo Marescas më herët këtë muaj.
Maresca u shkarkua nga klubi londinez në Ditën e Vitit të Ri pas një përplasjeje shpërthyese me drejtuesit e Chelseat, çfarë çoi në emërimin e trajnerit të ri Liam Rosenior javën e kaluar.
Fernandez, i cili kishte një marrëdhënie shumë pozitive me Marescan përpara largimit të tij, pranoi se ishte “i trishtuar” për trajnerin italian.
Tani, sipas medias franceze L’Equipe, fituesi i Kupës së Botës po e shqyrton të ardhmen e tij në Stamford Bridge dhe është shfaqur si një nga objektivat kryesorë të PSG-së në merkato.
Gjigantët francezë, të cilët fituan Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, raportohet se kanë si objektiv të forcojnë mesfushën rreth një lojtari kyç, Vitinha.
Paraqitjet e Joao Neves dhe Fabian Ruiz kanë ngritur pikëpyetje së fundmi te skuadra e Luis Enrique, pavarësisht se të dy luajtën shkëlqyeshëm sezonin e kaluar gjatë rrugëtimit drejt triumfit në Ligën e Kampionëve.
PSG ende nuk ka bërë asnjë përpjekje për të nënshkruar me Fernandez gjatë merkatos së dimrit, duke e parë atë si një objektiv afatgjatë.
Qëllimi kryesor i parisienëve është rritja e konkurrencës brenda skuadrës së Luis Enrique, duke adresuar shqetësimet se disa lojtarë kanë rënë në gjumë për shkak të mungesës së konkurrencës për vendet e titullarëve.

