Edhe këtë 15 janar erdhi në Reçak.
E me kthimin këtu, Ramë Shabanit, i ngjallen edhe shumë kujtime.
27 vjet me parë, Shabani i mbijetoi njërit nga krimet me çnjerëzore serbe.
Bëhet fjalë për Reçakun, historinë e fundit të fshatit që e di e gjithë bota.
Ramë Shabani për Tëvë1, fillimisht ka rrëfyer për ngjarjet i prinë masakrës.
“Tani kur e kanë rrethu fshatin janë hi këmbësoria, kur janë hi këmbësoria na jemi hi nëpër shtëpia sherri i granatave na kanë zënë në shtëpinë e Sadik Osmanit përmbi tridhjetë burra dhe gra na kanë marrë na e kanë granatu shtëpinë, na kanë qitë jashtë na i kanë marrë çka kemi pasë letërnjoftima naj dinarë dhe na kanë rrahë deri u thye stupci e kam pasë krytë e çamë trupinë e thymë”, tregon ai.
Por, fatin e Shabanit nuk e kishin edhe 45 shqiptarë të tjerë, që u masakruan atë të premte janari.
Në mesin e tyre, edhe vëllai dhe disa anëtarë të tjerë të familjes se Shabani.
“Qysh i keni parë, pa kry, pa këmbë, pa zemër qysh i kanë pa krejt bota dhe kanë thënë është masakër kundër njerëzimit… Nuk e di se çfarë do të bjmnë me ta nuk e kemi ditë se qysh do t’i vjen puna, fati ne nuk kemi pasë veç me 15 janar deri më 11 shkurt ne i kemi varrosë këta, ne i kemi parë i kanë ngrehë nëpër spitale, asfalte, kah mos” , rrëfen Shabani.
Në këtë përvjetor, i mbijetuari i kësaj masakre, shprehet i zhgënjyer me përkujdesin e shtetit.
“Bile për fshatin Re٣ak, për tjerë nuk kanë tretman sikur një rom, sikur një serb që i mer 175 euro, edhe familjet tona i marrin 175 euro… Kjo ndryshohet kur vijnë zgjedhjet, na i ndryshojnë si të bëhen zgjedhjet na bëjnë Mekke e Medine, kur të kryhen zgjedhjet më nuk ka asgjë, s’ka për neve kurrgjë më”, thotë ai.
E dikush tjetër, thotë se atë ditë nga afër i pa të bëmat e forcave serbe.
“Ka pasë masakër të hatashme, të masakruar, të varrosur të gjitha këto janë kanë të zhdukur nga ky vend, falë zotit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, intervenimi i NATO-s dhe kështu po e gëzojmë Kosova këtë liri… Të gjithë i kemi parë, kanë qenë të masakrum, ka pasë tëlëndum shktarërrum, djegur, në tërësi këtu e tmerrshme ka qenë”, shprehet Avni Isufi – dëshmitar.
Ndryshe, në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe fillimisht bombarduan fshatin.
Më pas, në shtëpinë e Sadik Osmanit, i ndanë burrat nga gratë.
Në këtë oborr, fillimisht i maltretuan fizikisht e më pas burrat u urdhëruan të shkojnë në drejtim te malit.
Kur menduan se i shpëtuan më të keqës, 45 prej tyre u vranë e masakruan në vendin e njohur si “Gropa e Bebushit” nga njësitet tjera serbe./Tëvë1


