Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka dhënë dritën jeshile për ndjekjen e sulmuesit të Crystal Palace, Jean-Philippe Mateta.
“Zonja e Vjetër” ka katër sulmues në ekipin e parë, por Dusan Vlahovic, zgjedhja e parë e trajnerit, është jashtë për shkak të një dëmtimi serioz që do ta mbajë jashtë fushave për të paktën edhe një muaj.
Gjasat janë që ai të largohet kur kontrata t’i përfundojë në qershor. Ndërkohë, Arkadiusz Milik nuk ka luajtur asnjë ndeshje që nga qershori i vitit 2024.
Në javët e fundit, “Zonja e Vjetër” është lidhur me disa profile të ndryshme, përfshirë Alexander Sorloth, Artem Dovbyk dhe Mateo Pellegrino.
Gjithashtu, klubi ka dërguar skautë për të ndjekur nga afër Matetan drejt fundit të dhjetorit.
Gjigantët e Serie A kanë bërë një kërkesë për sulmuesin 27-vjeçar dhe janë informuar se Crystal Palace ka vendosur një çmim prej 30–35 milionë eurosh në afatin e janarit.
Eksperti i merkatos shton se ardhja e francezit ka marrë tashmë miratimin e plotë të Spallettit.
Kur 66-vjeçari u emërua në fund të tetorit, CEO i Juventusit, Damien Comolli, kishte rënë dakord t’i jepte atij një rol të rëndësishëm në vendimet e merkatos së klubit.
Sulmuesi franko-kongolez është tashmë një nga golashënuesit më konsistentë në Premier League. Këtë sezon, ai ka shënuar 10 herë dhe ka dhënë dy asistime në 32 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
Kontrata e Matetës me “Eagles” skadon në qershor të vitit 2027, ndaj vlera e tij në treg mund të bjerë ndjeshëm gjatë verës.
Për këtë arsye, Juventusi mund të tundohet të shtyjë planet deri në korrik, në vend që të paguajë 35 milionë euro në janar.


