Sporti

Shkëndija triumfon në miqësoren e parë dimërore ndaj Breras

01/15/2026 15:40
nga:Lorik J

KF Shkëndija ka nisur me fitore përgatitjet dimërore, duke regjistruar sukses bindës 3:0 në ndeshjen e parë miqësore ndaj AP Brera nga Strumica, njofton Telegrafi.

Takimi u zhvillua sot në Shkup dhe shërbeu si testi i parë për kuqezinjtë në kuadër të fazës përgatitore.

Shkëndija e mori herët kontrollin e lojës dhe kaloi në epërsi që në minutën e 11-të me golin e shënuar nga Mazari. Pavarësisht ndryshimeve të shumta në formacion, ekipi tregoi organizim të mirë dhe vazhdoi të dominojë edhe në pjesën e dytë.

Kapiteni Besart Ibraimi vulosi fitoren me dy gola të shënuar në minutat 61 dhe 82, duke konfirmuar formën e mirë dhe efikasitetin në repartin ofensiv.

Kjo miqësore i shërbeu stafit teknik për të parë gjendjen fizike të futbollistëve dhe për të testuar skema të ndryshme taktike në prag të vazhdimit të sezonit.

Shkëndija pritet të zhvillojë edhe ndeshje të tjera kontrolluese gjatë përgatitjeve dimërore, pasi fazën tjetër e ka planifikuar ta zhvillojë në Antalia të Turqisë.