Lajme

Berisha: Bota pret nga PD zgjidhje për situatën dramatike në Shqipëri!

01/15/2026 14:24
nga:Y I

Në një deklaratë publike, Berisha akuzon qeverinë shqiptare si një ‘organizatë kriminale’ që bashkëpunon me kartelet e drogës dhe vjedh qytetarët ditë e natë.

Fokusi kryesor i denoncimit është keqmenaxhimi katastrofik i situatës së përmbytjeve që kanë prekur vendin, veçanërisht zonën e Durrësit, Shkodrës dhe Lezhës.

Sipas Berishës, përmbytjet nuk ishin thjesht pasojë e reshjeve, por rezultat i korrupsionit të thellë shtetëror, ku fondet për pastrimin e kanaleve dhe mirëmbajtjen e hidrovoreve janë zhdukur.

Ai thekson kontrastin e dhimbshëm mes qytetarëve që shihnin shtëpitë e tyre nën ujë dhe qeveritarëve që vazhdonin ahengjet dhe udhëtimet luksoze.

Fjalimi i Berishës:

“Së pari edhe unë përzemërsisht u uroj përsëri ju të gjithë atyre që u kanë votuar ju dhe mbarë shqiptarëve një vit në lartësinë e pritshmërive më të mira që kemi.

Të nderuar deputete e deputetë, ne nisim këtë vit kur të gjithë shqiptarët, të gjithë miqtë e Shqipërisë në Europë dhe në botë presin nga PD, presin nga opozita shqiptare zgjidhjen e situatës dramatike në Shqipëri.

Zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate, e cila si në asnjë vend tjetër, një vend anëtar i NATO-s, një vend që pretendon se po ecën drejt BE, faktohet para qytetarëve të saj dhe mbarë botës një klikë e papërgjegjshme, një organizatë kriminale që vjedh ditë e natë qytetarët e saj.

Një organizatë kriminale që bashkëpunon me kartelet më të rrezikshme të drogës në Europë dhe në botë.
Shqiptarët e nisën këtë vit në shumë zona të vendit, nga Gjirokastra në Shkodër, por veçanërisht në Durrës dhe qarkun e Durrësit, në një përmbytje të përmasave të papara ndonjëherë.

Në një përmbytje me pasoja të rënda.

Në një përmbytje në të cilën shteti jo që nuk ishte një mbështetje për qytetarët, por shteti me korrupsionin e tij të çmendur, të papërmbajtur, ishte shkaku i thellë i kësaj përmbytje të paparë ndonjëherë në qarkun e Durrësit, por edhe në disa qarqe të tjera.

Në fakt, në ujërat që përmbytën mijëra e mijëra banesa, nga veriu në jugun e vendit, u përmbyt gjithashtu morali i kalbur i kësaj qeverie.

Shqiptarët panë se si këta gobsekë vazhdonin ahengjet, udhëtimet, ndërkohë që ujërat shtoheshin çdo ditë në shtëpitë e tyre.

Shqiptarët panë me sytë e tyre shkaqet e vërteta të kësaj drame që pësuan dhe që edhe sot janë në të.

Në çdo vend dhe çdo qeveri në botë, ndërtohet një infrastrukturë kundër përmbytjeve.

Dhe në ligjin e sigurisë kombëtare, emergjenca ndaj fatkeqësive natyrore ka një përparësi absolute.

Pra, Shqipëria u dogj sa asnjëherë tjetër në historinë e saj.

Satelitët e Peleshit mbushën xhepat e Edi Ramës.

Firmosja e një marrëveshje se na duhen satelitët për të parë vatrën e parë të zjarrit që të shkojmë dhe ta fikim menjëherë, ky mashtrues i paskrupullt, i pamoral, zjarret dogjën njerëz të gjallë, dogjën familje, shtëpi si asnjëherë tjetër, dhe satelitët i verboi korrupsioni”, tha Berisha.