Lajme

Bajrami: Do të kërkojmë dhe do të punojmë pa u ndalur për drejtësi për Reçakun dhe për të gjitha viktimat e tjera!

01/15/2026 12:43
nga:Genita C

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka përkujtuar 45 civilët e pafajshëm të masakruar në Reçak gjatë luftës në Kosovë, raporton GazetaBlic.

Ajo theksoi rëndësinë e kujtimit të të gjitha viktimave të gjenocidit dhe falënderoi ata që dokumentuan krimet, duke premtuar punë të vazhdueshme për drejtësi.

Postimi i plotë:

Sot nderojmë dhe përkujtojmë 45 civilët e pafajshëm të Reçakut, të vrarë dhe të masakruar si pjesë e gjenocidit, një projekt shtetëror i ish-Jugosllavisë, që synonte spastrimin etnik të Kosovës.

Reçaku, Meja, Suhareka, Pokleku, Pastaseli, Izbica, Krusha e Madhe, Burgu i Dubravës, Kleçka, Korisha, Qyshku e Pavlani janë vetëm disa nga vendet e krimeve që na obligojnë të kujtojmë dhe të nderojmë fëmijët, pleqtë e plakat, gratë dhe burrat që u martirizuan për lirinë që sot e gëzojmë.

Në këtë ditë, nderojmë dhe falënderojmë edhe ata që ia treguan botës të vërtetën për krimet e kryera, nga ambasadori William Walker te gazetarët dhe fotoreporterët që i dokumentuan ato.

Do të kërkojmë dhe do të punojmë pa u ndalur për drejtësi për Reçakun dhe për të gjitha viktimat e tjera!

LAVDI të rënëve për Lirinë e Kosovës!