Lajme

Pas një viti kërkimesh, një vullnetar nga Bosnja në Rusi shpallet i vdekur

01/14/2026 20:11
nga:G B

Pas më shumë se një viti kërkimesh për të mësuar se ku ndodhet i biri i saj, Marina Kuzmanoviq nga Modriça e Bosnje e Hercegovinës ka marrë nga Rusia informacion se djali i saj do të shpallet i vdekur.

Mario Kuzmanoviq, 28 vjeç, ish-ushtar i Forcave të Armatosura të Bosnje e Hercegovinës, u zhduk në dhjetor të vitit 2024 në frontin e luftës në Ukrainë, ku po luftonte në krah të ushtrisë ruse – një akt që, me ligjin në Bosnje, konsiderohet krim.

“Mama, po dal jashtë qytetit. Po shkoj të punoj. Nuk do të kem internet. Jam i lodhur. Kam etje dhe uri. Këmbët i kam të lagura…”.

Këto janë disa nga mesazhet e fundit që Mario ia dërgoi nënës së tij.

Që nga 8 dhjetori i vitit 2024, Marina nuk mori asnjë informacion zyrtar për fatin e tij dhe nuk kishte asnjë kontakt me të birin.

Në janar të këtij viti, ajo mori informacion nga Rusia se Mario do të shpallet i vdekur, por pa detaje të qarta se ku dhe si vdiq apo çfarë ndodhi me trupin e tij.

“Më duhet vetëm të di se ku mund të ndez një qiri për të. A po kërkoj shumë?”, shprehet Marina për Radion Evropa e Lirë.

Mario shkoi në Rusi në fillim të nëntorit 2024, duke u thënë të afërmve se do të punonte në pastrimin e rrugëve dhe se nuk do të merrte pjesë në luftë.

“Qaja, kisha frikë… Më thoshte: ‘Mama, mos ki frikë, nuk po shkoj në luftë.’ I thosha se mund të ketë mina, nuk e di… Ai më thoshte se, fillimisht, shkojnë demontuesit e minave, pastaj pastrohen terreni dhe rrugët. Të lutem lajmërohu, i thosha”, tregon Marina.

Sipas saj, motivi i djalit për të shkuar në Rusi ishte ekonomia.

Ai mendonte, sipas Marinës, se do të fitonte mjaftueshëm për të paguar kujdesin për fëmijën me nevoja të veçanta në Moskë, si dhe për të marrë shtetësinë ruse.

Ishte ushtar i Forcave të Armatosura të Bosnje e Hercegovinës

Kuzmanoviq u lirua nga Forcat e Armatosura të Bosnje e Hercegovinës në janar të vitit 2025, mori vesh Radio Evropa e Lirë.

Supozohet se arsye ishte mungesa e tij në punë, në kazermën e Orashjes në veri të Bosnje e Hercegovinës, pasi dy muaj më parë ishte nisur për në Rusi dhe më pas në frontin në Ukrainë.

Bashkimi me ushtritë e huaja konsiderohet krim sipas ligjeve të Bosnje e Hercegovinës.

Shumë shpejt, gjatë muajve shkurt dhe mars të atij viti, u përhapën informacionet se Kuzmanoviq ishte zhdukur në frontin e Ukrainës, konkretisht në Novogrodovk, rreth 20 kilometra në juglindje të Pokrovskut.

Marina thotë se atëkohë shkoi në Rusi, në përpjekje që të mësonte se çfarë i kishte ndodhur djalit të saj, me të cilin nuk kishte pasur kontakt që nga fillimi i dhjetorit të vitit paraprak.

“Atëherë, ata më thanë se djali im ishte gjallë, se ishte diku në front. Nuk më thanë se kishte vdekur. Por, më pas, erdhi konfirmimi se ishte zhdukur… Më thanë se do ta kërkonin, se do të bënin gjithçka për ta gjetur”, thotë Marina duke treguar për udhëtimin e saj të parë në Rusi dhe takimin me zyrtarët ushtarakë.

Deri në shtator dhe udhëtimin e saj të tretë në Rusi, nuk kishte asnjë informacion të ri. Ajo shkoi në Moskë edhe në fund të vitit 2025.

U vra në një sulm me dron?

Marina vizitoi disa institucione dhe qytete dhe mori një konfirmim që thoshte se njësia ku ndodhej Mario, u godit nga një dron kamikaz.

“Kur shkova dhe u prezantova, duke thënë se isha nëna e tij, se po e kërkoja, se vija nga Bosnja, komandanti më shtriu dorën dhe më tha: ‘Pranoni ngushëllimet e mia.’ U trondita shumë. Sepse kisha shpresuar se djali im ishte fshehur, se ishte arratisur, se ishte… e di, se ishte gjallë diku dhe po fshihej. Në mendjen time e kisha menduar kështu. Kisha shpresuar se ishte gjallë…”, thotë Marina.

Zyrtarët thanë se lidhja me luftëtarët është ndërprerë dhe se ata janë “99 për qind të vdekur”, por se trupat e tyre nuk janë evakuuar dhe kanë mbetur aty ku kanë humbur jetën.

Marina tregon se u ka thënë zyrtarëve ushtarakë rusë se dyshon se djali i saj është rekrutuar dhe mashtruar, se ai nuk e dinte se po shkelte në front.

Ajo thotë se përgjigjja nga Rusia ishte se “duhet të presë”.

“Kam shkuar edhe në Rostov-on-Don, që është qendra kryesore për pranimin dhe përpunimin e të rënëve. Ishin korrektë dhe të sjellshëm. Më thanë se kanë mbledhur ushtarët e vrarë që ndodheshin në rrugë dhe nëpër terren, dhe po punojnë për përpunimin e ADN-ve, por se ushtarët që ndodheshin në ndërtesa dhe bodrume të mbuluara, ende nuk i kishin gjetur… Sipas tyre, kjo do të marrë shumë kohë”, rrëfen Marina.

Nga burime të ndryshme, Marina mori informacione të ndryshme – iu tha se disa ushtarë edhe janë varrosur në një varrezë masive në Donjeck gjatë muajve të ngrohtë, për shkak të frikës nga sëmundjet, dhe se para varrosjes u janë marrë mostra ADN-je.

Një informacion tjetër thotë se djali i saj është plagosur rëndë nga një sulm me dron, se lidhja me të është humbur dhe se nuk ka mundur të evakuohet, por shpresohet që kur zona të pastrohet nga minat, trupat të kërkohen.

Një informacion tjetër nga ushtria ruse, të cilin ajo e ka hedhur poshtë, thotë se djali i saj ndodhet në një morg të përkohshëm në Donjeck, duke pritur për identifikim.

Ajo u kërkoi autoriteteve ushtarake t’ia jepnin sendet personale të djalit dhe pasaportën, por pa sukses.

“Zemra më copëtohet. Nuk mund ta përballoj më. Kam frikë se nuk do të arrij ta gjej. Nëse ka vdekur, dua ta kthej në Bosnje për ta varrosur. Nuk është vendi i tij atje”, i shkroi Marina gazetares së REL-it në një mesazh, gjatë një qëndrimi në Rusi.

Marina thotë se në Rusi i ka ngritur edhe zyrtarisht dyshimet e saj se Mario është mashtruar dhe nuk e ka ditur se do të luftonte.

Përgjigjja që mori ishte se ai kishte hyrë vullnetarisht në radhët e ushtrisë.

Kjo është e shënuar edhe në dokumentet zyrtare që Marina mori.

Radio Evropa e Lirë e ndoqi rastin e Mario Kuzmanoviqit për disa muaj, por nuk mori asnjë informacion zyrtar nga institucionet ruse ose boshnjake.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës nuk iu përgjigj pyetjeve rreth shtetasit Kuzmanoviq.

REL-it nuk iu përgjigjën as nga Ambasada e Bosnje e Hercegovinës në Moskë. Ambasada e Rusisë në Sarajevë tha se përgjegjëse është konsullata e Bosnjës në Moskë, nga e cila nuk kishte përgjigje.

Në Ambasadën ruse në Sarajevë, respektivisht në degën konsullore, u drejtua edhe Marina, nëna e Kuzmanoviqit të zhdukur.

Ajo thotë se i ka lënë të dhënat e saj dhe një mostër ADN-je, të marrë në Banjallukë, por shton se nuk ka pasur ndonjë zhvillim tjetër dhe nuk ka marrë asnjë informacion se ku ndodhet djali i saj, ku janë mbetjet e tij dhe si mund t’i marrë.

Marina iu drejtua edhe konsullatës së Bosnjës në Moskë, por as aty nuk mundën t’i ndihmojnë, duke e dërguar tek institucionet boshnjake.

Ajo thotë se, pasi një burim nga ushtria ruse i dha informacionin se djali i saj mund të jetë kapur rob, u shkroi edhe institucioneve ukrainase dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Emrin e djalit e kërkoi edhe në listat që publikon projekti shtetëror ukrainas “Dua ta gjej”, i cili jep informacione për të kapurit, personat e zhdukur dhe ushtarët rusë të vrarë në Ukrainë.

As aty nuk e gjeti emrin e Marios.

Policia lokale në Modriçë bëri një shënim zyrtar për zhdukjen e Mario Kuzmanoviqit.

REL-i mori vesh se për rastin e tij dinë edhe agjencitë e sigurisë në Bosnje, por se nuk kanë më shumë informacion, përveç dyshimeve se ai mund të jetë vrarë në frontin e Ukrainës.

Të huajt në ushtrinë ruse

Mario Kuzmanoviq është një nga mijëra luftëtarët e huaj që u bashkuan me ushtrinë ruse.

Të dhënat e sakta për numrin e shtetasve të huaj nuk dihen, por zyrtarët ukrainas vlerësojnë se bëhet fjalë për rreth 18.000 të huaj nga e gjithë bota.

Bohdan Ohrimenko, udhëheqës i Qendrës Koordinuese Ukrainase për të Kapurit në Luftë, tha në dhjetor të vitit të kaluar se të huajt që bashkohen me ushtrinë ruse, vijnë nga më shumë se 120 vende.

“Ne kemi dëshmi që 3.388 prej tyre kanë humbur jetën”, tha Ohrimenko, raportoi agjencia shtetërore ukrainase e lajmeve, Ukrinform.

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur do të varet nga situata politike”

Se si dhe përmes kujt Kuzmanoviq shkoi në Rusi, nuk dihet.

Ai i tha nënës së tij se po shkon për të punuar në mirëmbajtjen e rrugëve në Rusi, por Radio Evropa e Lirë nuk arriti të verifikonte nëse Kuzmanoviq realisht besonte se do të punonte atje dhe nuk do të shkonte në frontin e Ukrainës.

Ajo që u bë e ditur më pas, është se ai nënshkroi kontratë me ushtrinë ruse.

Vitin e kaluar, Rusia lehtësoi dhe legalizoi pjesëmarrjen e luftëtarëve të huaj në ushtrinë zyrtare ruse.

Në këmbim, të huajve iu premtua shtetësia ruse, paga për angazhimin ushtarak dhe kompensimi në rast të vdekjes.

Harry Stevens, studiues amerikan i politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, i specializuar për Rusinë, tha më herët për Radion Evropa e Lirë se, sipas të dhënave të tij, mijëra persona janë në situata të ngjashme me familjen Kuzmanoviq dhe nuk kanë pasur kontakt me të dashurit e tyre për muaj të tërë.

“Zgjidhja e kësaj çështjeje në vendet ku ata janë shtetas, varet nga situata politike në ato vende. Shtetet që kanë marrëdhënie shumë të afërta me Rusinë ose janë të varura prej saj, mund të kenë vështirësi të mëdha për t’i ngritur këto çështje, sidomos nëse një gjë e tillë do të krijonte siklet apo probleme politike”, shpjegoi Stevens.

Ai shtoi se India bën një përjashtim, pasi kryeministri i saj, Narendra Modi, i është drejtuar drejtpërdrejt presidentit rus, Vladimir Putin, duke kërkuar që të identifikohen dhjetëra indianë të zhdukur.

“… por, nëse mbetjet e tyre do të kthehen ndonjëherë në vendet e tyre, ose nëse familjet do të marrin ndonjë shpjegim, është ende e paqartë”, tha Stevens.

Sipas tij, Rusia zakonisht flet me ngurrim për luftëtarët e huaj në radhët e saj, dhe shumë më pak për ata që kanë humbur jetën.

Për rastin konkret të Bosnje e Hercegovinës, Stevens tha se është vështirë të flitet.

“Është e mundur që atij i është ofruar diçka tjetër nga ajo që në fund ka marrë. Është e vështirë të përcaktohet e vërteta – nëse është bashkuar për arsye ideologjike, për para, ose nëse e dinte që po bashkohej me ushtrinë… Sa u përket autoriteteve ruse, ato, praktikisht, i kanë të gjitha kartat në dorë. Ato nuk kanë asnjë detyrim t’u tregojnë familjeve se çfarë ka ndodhur, ta gjejnë ushtarin e zhdukur apo të japin ndonjë informacion”, tha Stevens.

Sipas vlerësimit të tij, situata me personat e zhdukur do të mbetet një problem i madh, burim i shqetësimit dhe dhimbjes për familjet, ndoshta edhe për vite pas përfundimit të luftës.

Marina e mori një përgjigje të ngjashme edhe nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Bosnje e Hercegovinë – se mund të kalojnë vite derisa të marrë ndonjë informacion për vendndodhjen e djalit të saj dhe për trupin e tij./REL