Tashmë edhe zyrtarisht Kamer Qaka është futbollisti më i ri i Partizanit. Pritja ka marrë fund dhe mesfushopri ditën e sotme është prezantuar nga klubi i kuq nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Kryeqytetasit i urojnë ish-it të Kombëtares sa më shumë suksese me fanellën e kuqe, ndërsa palët kanë nënshkruar mes tyre një kontratë për 1 vit e gjysmë. Mesfushori është prezantuar në ambientet e klubit nga drejtori Agim Ibraimi.
“Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Kamer Qaka. Ish-lojtari i përfaqësueses së Shqipërisë është zyrtarisht pjesë e të kuqve, skuadër me të cilën do të provojë edhe aventurën e parë në Kampionatin Shqiptar.
Qaka i cili ka nënshkruar me të kuqtë një kontratë për një vit e gjysëm është prezantuar në ambjentet e klubit nga drejtori sportiv Agim Ibraimi.
30-vjeçari i bashkohet Partizanit pas eksperiencës pozitive te Shkëndija e Tetovës, skuadër me të cilën fitoi edhe 2 tituj kampion. Njëkohësisht ai dhuroi performanca mbreslënëse edhe në Ligën e Konferencës ku është aktivizuar në të gjitha përballjet evropiane.
I lindur në Pejë, Qaka gjatë karrierës së tij është aktivizuar në Norvegji me klubet e Raufoss, Honefoss apo edhe Sarpsborg. Ai ka luajtur gjithashtu me Poli Iasi dhe Steauan e Bukureshtit në Rumani dhe Mezokovesd në Hungari”, ka shkruar klubi i kuq.
Padiksutim që transferimi i Qakës është një nga lëvizjet e bujshme, pasi shton cilësitë në mesin e fushës, ndërkohë kujtojmë se Partizani ia mori në “kthesë” Tiranës objektivin e merkatos, pasi mesfushori ishte shumë afër kalimit te bardheblutë, por në fund vendosi të mbajë veshur ngjyrën e kuqe.


