Imazhe dramatike u regjistruan në Ilia të Greqisë, kur një tornado goditi zonën të enjten në mëngjes (8 janar), duke shkaktuar dëme të shumta.
Një video nga një kamera sigurie, e publikuar nga ilialive.gr, tregon se si një makinë përmbyset nga era ndërkohë që ishte në lëvizje në mes të rrugës ndërsa fatmirësisht, shoferi nuk pësoi lëndime.
Tornadoja kaloi mbi zonë brenda pak minutash, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sera, ku era shkuli hekurin dhe najlonin dhe i shpërndau në të gjithë terrenin. Megjithëse fenomeni zgjati vetëm pak, intensiteti i tij ishte i mjaftueshëm për të shkaktuar dëme të mëdha.
Kujtojmë se të mërkurën (7 janar) një tornado tjetër goditi një fermë shpendësh në Kalpaki të Janinës, ku për pasojë ngordhën mijëra pula.


