Analisti Adrian Zeqiri ka vlerësuar se rezultatet zgjedhore tregojnë një realitet të pandryshuar politik në Kosovë, i cili, sipas tij, ekziston prej më shumë se 25 vitesh.
Ai tha se partitë politike, me trashëgiminë dhe identitetin e tyre historik njëra e dalë nga lëvizja paqësore dhe tjetra nga strukturat e UÇK-së nuk kanë arritur të tërheqin votues të rinj.
Sipas Zeqirit, çdo vit rreth 30 mijë qytetarë hyjnë për herë të parë në listat e votuesve aktivë, por këto parti nuk kanë ditur t’i mobilizojnë ata.
“Këto numra nuk kanë ndryshuar, dhe këto numra e paraqesin një realitet historik që ka egzistua në Kosovë para 25 viteve, mendoj që këto parti me trashëgiminë e vet historike identitetin e tyre, njëra prej lëvizjes paqësore, tjetra dalja prej strukturave të UÇK-së nuk kanë arrit me thith votues të rinj, të cilët për cdo vit deri në 30 mijë janë duke u futur si votues aktiv, mendoj që këtu ka qenë pika kryqe ku LVV ka qenë një parti më e re, ka arrit me mobilizua këtë elektorat të rinj dhe se këtu është pika që unë mendoj që partitë opozitare duhet detyrimisht të dalin prej identitetit të tyre tradicional dhe të flasin me një gjuhë përtej vijave ndarëse politike që kanë egzistu në Kosovë prej në vitin 1999-2000”, ka deklaruar Zeqiri në emisionin “Ditari” në Tëvë1
Ai ka theksuar gjithashtu se një prirje e qartë vërehet edhe te votat e diasporës, të cilat në këtë raund zgjedhor kanë përbërë rreth 20 për qind të totalit të votave.
“Shihet qartë se kur jemi te votat e diasporës, të cilët në këtë raund të votimeve kanë qenë 20% të votave, shihet qartë se është preferencë disproporcionale për LVV-në prej 70 deri në 80, ndoshta edhe më shumë përqindje e votuesve jo rezidencë janë pro LVV-së, kjo tregon një mobilizim që LVV i ka bërë me diasporë”, ka deklaruar ai.


