Avokati Azem Vllasi, i ftuar në emisionin “Mesditë” në Tëvë1, ka folur për mundësinë e kandidimit të presidentes Vjosa Osmani për një mandat të dytë, duke vlerësuar se kritikat e opozitës ndaj saj nuk janë të bazuara në performancë, por në qëndrime politike dhe inate personale.
Vllasi tha se opozita e ka të vështirë të ndajë qëndrimin ndaj Osmanit nga raportet e saj me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin, sipas tij, ajo ka një histori të përbashkët politike.
“Sot nuk ka funksionar që mban ndonjë detyrë publike e që nuk përballet me kritika. Por duhet bërë dallimi mes kritikave të arsyeshme dhe atyre që burojnë nga inatet personale. Opozita e ka inat Vjosa Osmanin sepse, faktikisht, ajo dhe Albin Kurti kanë dalë nga e njëjta ‘fole’ politike, edhe pse sot janë në parti të ndryshme”, ka thënë Vllasi.
Ai theksoi se gjatë katër viteve të fundit, Osmani dhe Kurti kanë funksionuar mirë në pozicionet e tyre institucionale, por kjo nuk do të thotë se presidentja ka qenë e varur nga Qeveria.
“Gjatë këtyre katër viteve, të dy kanë funksionuar mirë. Vjosa Osmani nuk mund të thuhet se ka qenë një ‘patericë’ e Albin Kurtit. Ka pasur situata kur ajo i ka bërë vërejtje Qeverisë. Prandaj, nuk është e arsyeshme të thuhet se ata janë bashkë vetëm për shkak të këtyre akuzave. Kur kritikat janë për inate personale, ajo është një çështje tjetër”, u shpreh Vllasi.
Sipas tij, debati rreth një mandati të dytë të presidentes duhet të bazohet në vlerësimin e punës së saj institucionale, e jo në pozicionimet politike të opozitës.


