Lajme

Valdete Shabani largohet nga puna në “Trepçë” pas deklarimeve publike për trajtim të padrejtë

01/09/2026 13:31
nga:Sh R

Me arsyetimin se “shkeli rëndë detyrat e punës”, Ndërmarrja “Trepça” e ka larguar nga puna punëtoren Valdete Shabani.

Në vendimin e 6 janarit të këtij viti, ndërmarrja ka sqaruar se Valdetes i shqiptohet masa disiplinore “Ndërprerje e marrëdhënies së punës”, si pasojë e një suspendimi të mëparshëm me të njëjtin arsyetim.

Ky vendim, i siguruar nga Klan Kosova sipas ndërmarrjes, erdhi pasi Komisioni Disiplinor i përbërë nga tre anëtarë, Arianit Voca si kryetar i komisionit, dhe anëtarët Sali Latifi dhe Mustaf Asllani, kanë vlerësuar se Valdete Shabani ka shkelur detyrat e punës, duke i ofenduar zyrtarët e lartë të menaxhmentit të ndërmarrjes “Këta janë si Millosheviqi” në një paraqitje televizive në një nga mediat në Kosovë.

Ndër të tjera, në arsyetim thuhet se Shabani ka bërë deklarata të pavërteta lidhur me kushtet e punës dhe gjendjen në njësinë biznesore, duke pretenduar se është “shkatërruar” pas ardhjes së menaxhmentit të ri.

Krejt këto, sipas ndërmarrjes, janë shkelje, meqë punonjësja nuk ka pasur të drejtë të komunikojë me media, pasi kjo gjë u ndalohet me Kod të Sjelljes dhe Etikës së Ndërmarrjes “Trepça”.

Për këtë vendim, punonjësja Shabani ka reaguar me një koment, nën njoftimin e ndërmarrjes për largimin e saj, duke thënë se asnjë nga pretendimet e ndërmarrjes në vendim nuk janë të vërteta.

“Përpjekjet tuaja për të më shkatërruar janë të kota”, ka shkruar Shabani, duke shtuar se ajo nuk do të hesht pas këtij vendimi, por do të ndjekë rrugët ligjore për të luftuar për të drejtën e sajë.

Vendimin për suspendim dhe të gjitha këto pretendime ajo i kishte ankimuar në Komisionin Disiplinor, përmes avokatit të saj.

Më 2 dhjetor, ajo kishte dorëzuar një ankesë në Ndërmarrjen “Trepça” për “vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike” dhe “zbatim të gabuar dhe jo të drejtë të së drejtës materiale”.

Në arsyetim të këtij vendimi, Valdetja kishte theksuar se “faktet e përmendura në këto intervista (jo siç pretendon punëdhënësi) janë faktike dhe këtë e vërteton vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin është vërtetuar transferimi im nga një pozitë në tjetrën si dhe transferimi nga një njësi biznesore në tjetrën ka qenë i kundërligjshëm”.

Dhe pretendimet se në këtë intervistë, vazhdon Valdetja, “kinse paskam thënë se ‘këta janë si Millosheviqi’, nuk qëndrojnë dhe absolutisht nuk janë të vërteta”. Duke shtuar se vendimi për suspendim nga menaxhmenti nuk përmban prova konkrete për vërtetimin e fakteve vendimtare siç pretendon “Trepça”.

Për më tepër, në vendimin për suspendim, sipas Valdetes, ndërmarrja ka referencë të gabuar të rregulloreve të cituara për shkelje.

“Nënparagrafi 1.5 nuk ka të bëjë fare me pretendimet si në vendim. Nëse i bëhet dispozitës interpretim ekstensiv dhe telelogjik, nënkuptojmë se kjo dispozitë sanksionon situatën kur punonjësi gatë kryerjes së detyrave zyrtare ose në lidhje me detyrën zyrtare, i njëjti me qëllim keqpërdor pozitën ose tejkalon autorizimet e dhëna”.

Pra, “ani pse pretendimet e punëdhënësit në kuptim të gjendjes faktike janë të pavërteta, edhe sikur të qëndronin këto pretendime, gjendja faktike nuk do t’i përgjigjej kësaj dispozite”, thuhet në arsyetim të ankesës së Valdete Shabanit kundër vendimit të ndërmarrjes “Trepça” për suspendim të saj nga vendi i punës në ndërmarrje.

Në këtë ankesë kërkohet anulimi i vendimit të 24 nëntorit për suspendim dhe t’i kompensohet në mënyrë retroaktive diferenca e pagës nga data e suspendimit deri në kohën kur rikthehet në punë.

Çka ndodhi me Valdete Shabanin?

Valdete Shabani punon në “Trepçë” që 11 vjet, dhe prej vitit 2015 ka ushtruar detyrën e Shefes së Shërbimit Logjistik dhe Administrativ në Flotacionin e Stantërgut.

Por situata ndryshoi në gusht të vitit 2024, kur Faton Ahmeti mori detyrën e Kryeshefit të Ndërmarrjes. Vetëm në javët e para të mandatit, ai ndryshoi vendet e punës për rreth 60 punëtorë, duke thënë se “ndryshimet do të rrisin prodhimin”. Brenda një viti e tre muaj, numri i transferimeve ka kaluar shifrën 100.

Në grupin e parë të këtyre ndryshimeve ishte edhe Valdete Shabani. Më 3 shtator 2024, ajo u transferua nga Stantërgu në Metalurgjinë e Zinkut, në një pozitë që nuk kishte ekzistuar më parë – Zyrtare e Logjistikës.