Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot theksoi se gjatë ditëve të fundit vendi është ballafaquar me vërshime në disa komuna.
Sveçla në një postim në Facebook ka përmendur edhe zjarrin në fabrikën e dyshekëve të Comodita-s në Gjakovë, gjersa tha se falë angazhimit të zjarrfikësve nga gjashtë komuna shtesë, përveç atyre të Gjakovës, si dhe përkushtimit dhe angazhimit të tyre vetëmohues, zjarri u lokalizua.
Ai tha se Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave mbetet të përcaktojnë saktë shkakun e këtij zjarri, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Postimi i plotë:
Gjatë ditëve të fundit, vendi ynë është ballafaquar me vërshime në disa komuna. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave është mobilizuar me kapacitetet e saj maksimale për ta tejkaluar këtë situatë sa më shpejt dhe sa më lehtë.
Përveç vërshimeve, zjarrfikësit janë ballafaquar edhe me zjarre të përmasave të ndryshme. Një ndër to ishte edhe zjarri në fabrikën e dyshekëve në Gjakovë. Falë angazhimit të zjarrfikësve nga gjashtë komuna shtesë, përveç atyre të Gjakovës, si dhe përkushtimit dhe angazhimit të tyre vetëmohues, zjarri u lokalizua. Tashmë mbetet që ekipet profesionale të AME-së të përcaktojnë saktë shkakun e këtij zjarri, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin pjesëtar të AME-së, secilin zjarrfikës dhe anëtar të ekipeve të kërkim-shpëtimit, secilin pjesëtar të FSK-së, institucionet lokale, si dhe secilin qytetar për angazhimin dhe solidaritetin e treguar këto ditë, në ndihmë të të prekurve dhe në minimizimin e dëmeve nga këto fatkeqësi.


