Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një Memorandum Presidencial me të cilin urdhërohet tërheqja e SHBA-së nga 66 organizata ndërkombëtare, të cilat, sipas Shtëpisë së Bardhë, “nuk i shërbejnë më interesave amerikane”.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar të publikuar nga Shtëpia e Bardhë në platformën X, nën sloganin “America First”.
Sipas njoftimit, vendimi përfshin 35 organizata ndërkombëtare jashtë sistemit të OKB-së, si dhe 31 entitete të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në deklaratë nuk janë bërë publike emrat konkretë të organizatave nga të cilat SHBA-ja do të tërhiqet, ndërsa theksohet se masa synon rishikimin e angazhimeve ndërkombëtare në përputhje me interesat kombëtare të vendit.
Ky vendim pritet të ngjallë reagime të shumta në arenën ndërkombëtare, veçanërisht brenda institucioneve multilaterale, ku SHBA-ja ka pasur rol kyç për dekada me radhë.


