Partia Kristiansociale Gjermane, CSU kërkon ashpërsim të mëtejshëm të politikës së migracionit dhe kthim të shumicës së sirianëve.
Në një dokument të Unionit Kristiansocial Gjerman, CSU para një takimi të grupit të landit në Seeon, Bavarinë e Epërme në 6 janar flitet për një “ofensivë kthimi” që duhet të zhvillohet “sa më shpejt”. Për shumicën e sirianëve me leje qëndrimi të përkohshme, argumenti i mbrojtjes nuk është më në fuqi pas përfundimit të luftës civile, thuhet në dokument. “Për ata që nuk largohen vullnetarisht, dëbimet duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”. Mbi dokumentin e CSU ka raportuar gazeta gjermane “Münchner Merkur” dhe dpa.
2026 duhet të jetë vit i ofensivës së dëbimeve, “me fluturime të planifikuara dhe gjithashtu për në Siri dhe Afganistan”. Për këtë qëllim,duhet të krijohen në të gjithë Gjermaninë qendrat e kthimit, së bashku me një terminal të dedikuar dëbimi në Aeroportin e Mynihut. CSU dëshiron të ndjekë një qëndrim më të ashpër edhe ndaj refugjatëve nga Ukraina. “Për më tepër, ne do të këmbëngulim që burrat ukrainas në moshë ushtarake, në veçanti, të kontribuojnë në mbrojtjen e vendit të tyre”, thuhet në dokument, por nuk jepen detaje të mëtejshme.
Pengesa më të larta për integrimin në sistemet sociale
Pikë tjetër në dokumentin e CSU është vështirësimi i kritereve për të hyrë në sistemin social gjerman. “Aktualisht, qytetarëve të BE-së u garantohet liria e lëvizjes brenda Unionit me ligj, madje edhe me një kohë minimale pune javore prej 5.5 orësh. Ne duam të ngushtojmë përkufizimin e konceptit ‘punëtor’ siç përcaktohet në Direktivën e BE-së për Lirinë e Lëvizjes”, sqarohet në deklaratë. Kreu i grupit rajonal Alexander Hoffmann i tha “Merkur”, se “migrimi i fuqisë punëtore në Gjermani nuk duhet të jetë migrim varfërie”.
Dokumenti paraprak i publikuar në media përmban edhe pika të tjera si luftimin e armiqve të demokracisë. Aty kërkohet që thirrjet publike për ngritjen e një shteti islamist, Kalifat duhet të dënohen. “Kërkesa për zhbërjen e rendit themelor demokratik liberal apo një krim antisemitist duhet të çojnë në dëbimin e detyrueshëm të personit në fjalë, mohimin e lejes së qëndrimit dhe, në rastin e shtetasve të dyfishtë, humbjen e shtetësisë gjermane”, thuhet në dokumentin e CSU. /dw


