Sulmi i supozuar ukrainas me 91 dronë ndaj rezidencës së Presidentit rus Vladimir Putin në rajonin e Novgorodit ka nxitur një “përplasje” deklaratash mes Moskës, Kievit dhe Uashingtonit.
Fillimisht, autoritetet ruse raportuan se kishin zmbrapsur një sulm masiv me dronë, duke pretenduar se objektivi ishte një nga objektet e rezidencës presidenciale të Putin. Megjithatë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e mohoi kategorikisht një gjë të tillë, duke theksuar se Ukraina nuk ka kryer asnjë sulm ndaj presidentit rus apo rezidencës së tij.
Ky reagim u pasua nga një deklarat e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, i cili e informoi Presidentin amerikan Donald Trump se agjencitë e inteligjencës amerikane nuk kanë prova që Ukraina ka shënjestruar një rezidencë të përdorur nga Putin.
Ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se Kremlini iu përgjigj zyrtarisht qëndrimit të CIA-s, duke deklaruar se shërbimet ruse të sigurisë kishin rikuperuar regjistrin e fluturimit të një droni ukrainas, i cili, sipas tyre, tregonte se destinacioni final ishte rezidenca presidenciale në Novgorod.
Ministria ruse e Mbrojtjes e cilësoi sulmin e raportuar gjatë natës së 29 dhjetorit si një “akt terrorist” nga Ukraina. Sipas deklaratës zyrtare, “dekodimi i të dhënave të rrugëzimit nga arkivi i rikuperuar tregoi se objektivi përfundimtar i sulmit me dron ukrainas ishte një nga objektet e rezidencës presidenciale të Federatës Ruse në rajonin e Novgorodit”.
Moska pretendon se sulmi u krye duke përdorur gjithsej 91 mjete ajrore pa pilot, të cilat, sipas saj, u rrëzuan plotësisht nga mbrojtja ajrore ruse, pa shkaktuar viktima apo dëme materiale. Ministria e Mbrojtjes shtoi se të dhënat e mbledhura do t’i përcillen palës amerikane përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.


