Sporti

Roberto Carlos jep detajet e fundit për gjendjen e tij shëndetësore

01/01/2026 19:12
nga:Mergim Rreci

Legjenda e Brazilit dhe e Real Madridit, Roberto Carlos, ka qetësuar fansat e tij duke deklaruar se po rikuperohet mirë pas një operacioni, që e konsideroi “procedurë mjekësore parandaluese”.

Ish-mbrojtësi i majtë, 52 vjeç, publikoi një foto nga shtrati i spitalit në Instagram, ku shihet duke buzëqeshur, ndërsa mohoi thashethemet se kishte pësuar atak në zemër.

“Dua të sqaroj disa informacione që po qarkullojnë. Procedura ishte e planifikuar me ekipin tim mjekësor dhe ishte e suksesshme. Nuk kam pësuar atak në zemër. Po rikuperohem mirë dhe së shpejti do të rikthehem në formë të plotë,” shkroi ai.

Carlos falënderoi fansat për mesazhet e mbështetjes dhe ekipin mjekësor për kujdesin e treguar.

Roberto Carlos është një nga mbrojtësit më të famshëm në historinë e futbollit. Ai ka luajtur 527 ndeshje me Real Madridin, duke fituar katër tituj të La Liga-s dhe tre Champions League. Me kombëtaren e Brazilit, ai ngriti Kupën e Botës në vitin 2002.

I njohur si specialist i goditjeve të lira, Carlos ka luajtur edhe për klubet Palmeiras, Inter Milan, Fenerbahce dhe Corinthians.