Lajme

Haradinaj: Kisha nderin të bashkëpunoj me Nexhat Dacin në ditët më të ndjeshme të shtetndërtimit

01/01/2026 13:28
nga:Genita C

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për ndarjen nga jeta të akademik Nexhat Daci, duke e cilësuar humbje të madhe për Kosovën.

Haradinaj ka theksuar kontributin e Dacit në jetën akademike dhe institucionale, si dhe rolin e tij në proceset më të ndjeshme të shtetndërtimit të vendit, duke shprehur ngushëllime për familjen dhe bashkëpunëtorët e tij.

Reagimi i plotë:

Kosova humbi sot një personalitet të shquar të jetës akademike dhe institucionale. Ndarja nga jeta e akademikut Nexhat Daci është humbje e madhe për vendin. Do të kujtohet përherë për urtësinë, vizionin shtetformues dhe përkushtimin e palëkundur ndaj Kosovës. Kisha nderin që bashkë me të dhe Presidentin Rugova, të bashkëpunonim ngushtë në ditët më të ndjeshme të shtetndërtimit të vendit.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Daci, bashkëpunëtorëve dhe gjithë qytetarëve që e çmuan kontributin e akademikut Nexhat Daci.
U prehtë në paqe.