Ylli i Juventusit, Kenan Yildiz, gjithnjë e më shumë po lidhet me transferimin e mundshëm në Premier League, në prag të afatit kalimtar të janarit.
Talenti turk ka arritur shifrën e 100 paraqitjeve me fanellën bardhezi në të gjitha garat deri në fund të nëntorit 2025, ndërsa këtë sezon ka regjistruar 6 gola dhe 7 asistime në 21 ndeshje për gjigantët italianë.
Sipas “The Guardian”, Juventusi pritet të zhvillojë bisedime të reja në ditët në vijim me babanë e lojtarit dhe përfaqësuesit e tij, teksa disa nga klubet më të mëdha të Premier League po afrohen seriozisht drejt firmës së tij.
Yildiz ka hyrë tashmë në historinë e klubit, duke u bërë golashënuesi i huaj më i ri i Juventusit, si dhe golashënuesi më i ri në Champions League për bardhezinjtë.
20-vjeçari vlerësohet rreth 85 milionë paund, një shifër që, sipas raportimeve, nuk duket se i tremb klubet e interesuara nga Anglia.
Performancat e tij të shkëlqyera dhe potenciali i jashtëzakonshëm e kanë shndërruar Yildizin në një nga emrat më të kërkuar në tregun evropian.


