Tre oficerë të policisë turke kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur në një shkëmbim zjarri me persona të dyshuar si anëtarë të grupit terrorist ISIS, gjatë një operacioni të zhvilluar të hënën në provincën Jalova, në veri-perëndim të Turqisë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur forcat e policisë bastisën një shtëpi në fshatin Elmalik, rreth nëntë kilometra larg nga qendra e qytetit. Sipas autoriteteve, të dyshuarit hapën zjarr në drejtim të forcave policore sapo panë që po afroheshin, çka çoi në një përplasje të armatosur. Si pasojë, u vranë gjashtë anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik.
Të nëntë policët e plagosur u transportuan në një spital të afërt dhe, sipas deklaratave zyrtare, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.
Në mbështetje të operacionit u angazhuan edhe njësi speciale nga provinca fqinje e Bursës, ndërkohë që vendngjarja u rrethua plotësisht për të siguruar zonën. Për arsye sigurie, u pezullua mësimi në shkollat e fshatit dhe u bllokuan rrugët që të çonin në drejtim të banesës ku ishin strehuar të dyshuarit.
Nuk dihet ende nëse ndonjë nga personat e përfshirë në incident është arrestuar, pasi autoritetet turke kanë vendosur ndalim të përkohshëm transmetimi për ngjarjen, duke kufizuar informacionet në ato që publikohen zyrtarisht.
Ky operacion zhvillohet në një periudhë kur Turqia ka rritur ndjeshëm masat kundër terrorizmit, për shkak të shqetësimeve për sulme të mundshme në prag të natës së ndërrimit të viteve.


