Lajme

KPK heq nga rendi i ditës propozimin për përzgjedhjen e Lumezit, Zëvendëskryeprokuror të Shtetit

12/29/2025 14:42
nga:Genita C

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka hequr nga rendi i ditës propozimin për përzgjedhjen e Aleksandër Lumezit në pozitën e Zëvendëskryeprokurorit të Shtetit.

Vendimi erdhi pasi Lumezi ka refuzuar propozimin për përzgjedhjen në pozitën e Zv/Kryeprokurorit të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në takimin e 283-të të hënën, KPK-ja vendosi që ta shtojë si pikë të rendit të ditës kërkesën e kandidatëve për prokurorë të shtetit, për rishqyrtim të vendimit për anulimin e procesit për rekrutimin e prokurorëve të rinj.

Në këtë takim po mungojnë anëtarët Arian Gashi dhe Veton Shabani.

Ndryshe, përmes një e-maili dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, Lumezi kishte sqaruar se për shkak të angazhimeve si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, e ka të pamundur ushtrimin edhe të pozitës së zv/Kryeprokurorit të Shtetit.