Lajme

Policia: Procesi zgjedhor u zhvillua i qetë dhe pa incidente serioze

12/28/2025 20:08
nga:G B

Policia e Kosovës ka vlerësuar se procesi zgjedhor i ditës së sotme, në kuadër të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze në aspektin e sigurisë.

Sipas njoftimit zyrtar, aktivitetet policore për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë realizuar në përputhje të plotë me planifikimet operative të parapara. Zbatimi i planit policor, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional, kanë ndikuar pozitivisht që procesi i votimit të zhvillohet pa pengesa apo cenime serioze.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një nga qëllimet kryesore të planit operativ ka qenë garantimi i një ambienti të qetë për votim, si dhe inicimi dhe procedimi i çdo vepre të mundshme penale në koordinim me organet e drejtësisë, përfshirë dërgimin para drejtësisë të të gjithë atyre që cenojnë procesin zgjedhor.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, gjatë ditës së sotme janë iniciuar pesë raste penale, të cilat lidhen me veprat: cenimi i fshehtësisë së votimit, cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve, pengimi i procesit të votimit dhe asgjësimi i dokumenteve të votimit. Personat e përfshirë në këto raste, me vendim të prokurorëve kompetentë, janë liruar në procedurë të rregullt.

Gjithashtu, Policia ka trajtuar 30 informata, ndërsa në pesë raste është vepruar me shënim zyrtar. Paralelisht, në koordinim me organet e drejtësisë, janë trajtuar edhe raste të tjera që nuk ndërlidhen drejtpërdrejt me procesin zgjedhor.

Policia e Kosovës ka theksuar se ka trajtuar çdo informacion që ka pasur lidhje me zgjedhjet, duke vepruar në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Në fund, institucionet policore kanë falënderuar qytetarët e Republikës së Kosovës për kulturën e lartë qytetare dhe bashkëpunimin e treguar, që ka kontribuar në zhvillimin e suksesshëm dhe të qetë të procesit zgjedhor.