Lajme

KQZ nis numërimin e votave, këto janë rezultatet e para

12/28/2025 20:06
nga:G B

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar publikimin e rezultateve të para të zgjedhjeve parlamentare, të cilat u mbajtën të dielën në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje po prin bindshëm në rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të dhënave të përditësuara më 28 dhjetor 2025, në orën 19:54. Me 45,81 për qind të votave të numëruara, Vetëvendosje ka siguruar deri tani 13.325 vota.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 18,59 për qind apo 5.407 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 12,94 për qind, që përkthehet në 3.765 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 8,31 për qind të votave ose 2.417 vota.

Lista Serbe renditet pas saj me 3,93 për qind, përkatësisht 1.143 vota, ndërsa Koalicioni Vakat ka siguruar 2,61 për qind apo 760 vota.

Sipas të njëjtave të dhëna, deri në këtë fazë janë numëruar 30.367 vota nga gjithsej 1.999.204 votues të regjistruar, që përfaqëson një pjesëmarrje prej rreth 1,52 për qind.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vazhdojë përditësimin e rezultateve gjatë orëve në vijim, ndërsa këto shifra konsiderohen ende paraprake.