Zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Majlinda Sinani, ka përmendur disa nga sfidat e hasura gjatë procesit të sotëm zgjedhor, të cilat kanë vështirësuar ushtrimin e të drejtës së votës për qytetarë.
“Ne në mbikëqyrjen e vëzhgimin që bëjmë e shohim barrierën fizike e infrastrukturën ku zhvillohet procesi i votimit, veçanërisht për personat e moshës së tretë apo për personat me karrocë apo ata që kanë vështirësi në lëvizje. Ne e ngremë si shqetësim të vazhdueshëm. Infrastruktura është diçka që e kemi për ditë dhe ajo reflektohet me llupë në ditën e zgjedhjeve”, tha Sinani për RTK-në.
Ajo tha se përgjithësisht ka sinjale pozitive sa i përket votimit në vendvotime specifike, si në burgje, spitale e shtëpi të të moshuarve.
“Ana tjetër është te qendrat e ndalimit, burgjet, spitalet, personat për kujdesje të personave të moshuar. Ekipet tona kanë shkuar atje dhe në përgjithësi ka sinjale pozitive se procesi ka përfunduar, me përjashtim, ku në disa vende për shembull të burgosurit që janë të privuar nga lëvizja e lirë, mund të kenë pasur dokumente të skuaduara dhe legjislacioni s’e lejon”, vazhdoi Sinani.
Ajo tha se barriera në procesin e votimit është dalluar te kategoritë specifike, të cilët në mungesë të një dokumenti dëshmues kanë mbetur pa u veçuar si kategori me asistencë sociale. Në këtë rast ajo përmendi të moshuarit që kanë probleme me të pamurit, ata që nuk dinë shkrim lexim e raste të tjera.
“Personat që nuk dinë shkrim lexim, të moshuarit që për disa arsye kërkojnë asistencë për të votuar, kjo pjesë nuk është mjaftueshëm e sqarueshme apo nuk është paraparë…për ta nuk është menduar si kategori”, tha ajo, duke thënë se do ta adresojnë si çështje.


